LLOGARA

LLogara

Parku Kombëtar i Llogarasë gjendet në juglindje të qytetit të Orikumit dhe 37 km larg qytetit të Vlorës. Me Vendim të Këshillit të Ministrave nr.59, datë 26.01.2022 ky park zgjerohet të sipërfaqes së ekosistemit natyror “Llogora”, shpallur “park kombëtar” (kategoria II), nga 1 010 ha në 1 769.2 ha.

Gjendet afro 40 km në juglindje të qytetit të Vlorës, në kufirin hapësinor midis detit Adriatik dhe Jon. Formohet nga një pellg ujëmbledhës me pyje, kullotë e livadhe dhe vende shkëmbore, tepër të thepisur. Afro gjysma e sipërfaqes ka pjerrësi mbi 30 gradë, me kundrejtim veriperëndimor, me lartësi nga niveli i detit që varion nga 450-2,018m, maja e Qores. Toka është e murrme pyjore dhe livadhore malore, mbi gëlqeror.

Në këtë park gjenden të gjitha zonat e bimësisë së vendit tonë. Zona e pyjeve dhe shkurreve mesdhetare, me lartësi 470-600m; Zona e dushkajave, në lartësitë 600-800m; Zona e Ahut, në lartësitë 800-1,300m dhe Zona e kullotave alpine, në lartësitë 1,300-2,000m. Për të mundësuar realizimin e objektivave të ruajtjes së parkut studimet e më vonshme kanë marrë në konsideratë të gjithë rajonin: Llogara, Rrëza e Kanalit, Karaburun, Laguna e Orikumit, Lugina e Dukatit dhe Gjiri i Dukatit.

Një gamë e gjerë ekosistemesh me male të lartë (deri në 2,000m), lugina alpine dhe subalpine, lloje të ndryshme pyjesh (të përzier halorë me gjethegjerë), kullota, habitate bregdetare, prezencën e burimeve ujore të pijshëm; burimet karstike, laguna, përrenj, shpellat etj. Flora dhe bimësia në këtë rajon është e pasur dhe interesante, njihen rreth 1400 lloje të bimëve të larta.

Me interes shkencor janë shoqërimet bimore: Pishë e zezë e thjeshtë mbi gëlqeror, përzierjet Bredh me Pishë të zezë, Bredh me Panjë mali, Bredh me Mëllezë, Bredh me Pishë të zezë e Mëllezë; Bredh me Panjë e Mëllezë, Rrobulli me Pishë të zezë; Mëllezë e thjeshtë, Buxo, Pinetum nigrae, Pinus nigra-Quercus cocciferae, etj. Këto shoqërime janë të gërshetuar me nënpyll, ku mbizotëron Bushi, Urthi etj. Gjenden dhe grumbuj me moshë të vjetër mbi 150-200 vjet.

Bimët mjekësore dhe aromatike përbëjnë një pasuri me vlera ekonomike dhe shkencore, disa prej tyre janë shumë të rralla. Llojet kryesore që takohen në këtë rajon janë: Bar pezmi, Bari i bletës, Mentha pulegium, Agulicia, Mëllaga e pyllit, Rigon i bardhë, Sherebela, Çaj mali, Xhërrokulli vjeshtor, disa lloje kërpudhash si Kërpudha e Çezarit, Kërpudha e Ariut dhe një numër të konsiderueshëm dru frytor.

Në sajë të karakteristikave gjeografike rajoni përfaqëson habitate interesante për entomofaunën. Takohen rreth 93 lloje të fluturave. Gjithashtu janë identifikuar 10 lloje të amfibëve (Bukura e dheut, Bretkosa e përrenjve, etj); 28 lloje të reptilëve (Nepërkat, Breshka e zakonshme, etj); 105 lloje shpendësh (Shqiponja e malit, Huta, Skifteri, Korbi, Thëllëzat, Qukapiku, Pëllumbi i egër, Turtulli, Mëllenja, Bilbilat e shumë zogj të tjerë stinor); 55 lloje të gjitarëve: Ujku, Baldosa, Dhelpra, Derri i egër, Lepuri i egër, Kaprolli, Ketri, Shqarthi-Kunadhja gushëbardhë, etj.

PK i Llogorasë përfaqëson një ndër zonat më të pasura për sa i takon larmisë biologjike. Dallohet për 15 tipa të ndryshme të habitateve natyrore ku, shumë prej tyre janë lloje që ruhen në nivel ndërkombëtar, kombëtar dhe rajonal, dhe 5 prej tyre listohen si habitate prioritare për ruajtje dhe konservim të botës së vet.

Habitatet e ndryshme të parkut përfaqësohen nga shkurret e bushit si dhe pyjet e Dushqeve, Shkozës, Blirit, Panjave, Bredhit të Maqedonisë, Pishës së Zezë dhe Rrobullit. Kullotat mesdhetare të lartësive të ulëta popullohen nga rreth 5 lloje saleporesh, kurse më në lartësi, nga 1,250-2,000 m, Pirra Shqiptare mbizotëron në bimësinë barishtore të parkut.

Janë evidencuar: 16 lloje floristike, të rëndësishme, 12 lloje, endemike, 2 lloj, të Konventës së Bernës dhe 1 lloj, të Listës së Kuqe të IUCN-së. Në park gjenden gjithashtu Boçëbore e Mbretëreshës Ollga dhe Gështenja e Kalit, 2 lloje këto globalisht të rrezikuar. Gjithashtu, janë evidencuar llojet faunistike të Listës së IUCN-s, ku: 1 lloje, Seriozisht të rrezikuar, 2 lloje, Të rrezikuar, 10 lloje, Thuajse të rrezikuar, 8 lloje, Vulnerabile, 62 lloje.

Parku ofron peizazh të bukur e mahnitës në brendësi dhe në vende karakteristike e pika dominuese. Nga Qafa e Cesarit, përfshihet Karaburuni, Gryka dhe Fusha e Dukatit dhe Laguna e Orikumit; Deti Jon, koni madhështor i Përroit të Thatë, Gërxhet e thepisura të maleve të Vetëtimës (Akrokeraunet ose Malet e Rrufeve).

Parku, prej kohësh, përbën një destinacion ekoturistik tepër të kërkuar. Shërben si urë tranziti për bregdetin e Jonit dhe ka potencial të madh për zhvillimin e ekoturizmit, sportet malore, turet dhe udhëtimet. Parku përdoren kryesisht për ecje në natyrë dhe ture. Shpati shkëmbor në jug të Llogorasë shërben për gara ndërkombëtare të fluturimeve dhe parashutizmit.

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM