Divjakë - Karavasta

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore. Është shpallur edhe si zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi nderkombëtare sipas Konventës së Ramsarit, që nga viti 1995. Me vendim të Këshillit të Ministrave nr.59, datë 26.1.2022 ky park zgjerohet nga 22 230.2 ha në 22 389.08 ha.

Shtrihet si një hark i gjelbër anës detit Adriatik, gjendet rreth 5km larg qytetit të Divjakës dhe afro 70km larg Tiranës. Ai kufizohet nga lumi Shkumbin në veri, nga kodrat e Divjakës në Lindje, nga kanali i Myzeqesë dhe lumi Seman në jug, dhe laget nga deti Adriatik në perëndim.

Zona e parkut kombëtar Divjakë-Karavasta është zona më e rëndësishme komplekse e Shqipërisë për sa i përket biodiversitetit. Kjo zonë strehon përqendrimin më të lartë të shpendëve ujore rreth 51 000 individë, dhe rreth 500 çifte folenizues në Shqipëri. 89 specie të ndryshme që përfaqësojnë grupet e molusqeve, insekteve, amfibëve, zvarranikëve, zogjve dhe gjitarëve, të pranishme në zonën e parkut, janë konsideruar si të kërcënuara në Shqipëri. 42 specie i përkasin kategorive shumë të rrezikuara, duke përfshirë rrezik kritik, të rrezikuara dhe vulnerable. Është, pa dyshim, zona më e rëndësishme e mbrojtur përgjatë hapësirë sonë bregdetare, madje nga më të rëndësishmet në brigjet e Mesdheut.

Ishulli i Kularit ndodhet pranë deltës së lumit Shkumbin, 0,5m mbi nivelin e detit, i formuar si rezultat i prurjeve aluvionale të lumit. Ishulli është i mbuluar nga shkurret, plep i egër, dru cedri, kullota dimërore dhe lloje të ndryshme bimësie të gjelbër. Aty mund të gjenden disa lloje shpendësh ujorë, veçanërisht, pelikani Dalmat.

Laguna e Karavastasë, shtrihet midis dy grykëderdhjeve të Lumit Seman dhe Shkumbin. Është më e madhja ndër lagunat e vendit, 41,8km2. Bregu perëndimor i lagunës ka disa ishuj të vegjël, të krijuar më tepër nga akumulimet organike të shpendëve, ku ata folezojnë. Dallohet Ishulli i Pelikanëve (MN). Rrethohet me ligatina, më tepër në formën e moçaleve, në të cilat zhvillohet bimësia kryesisht barishtore halofite e llojit Salicornia europaea L herbacea. Ruan lidhjen me detin, nëpërmjet tri kanaleve natyrorë etj.

Lagunat e Godullës së Madhe dhe të Vogël, janë shumë pranë lagunës së Karavastasë. E madhja ka sipërfaqe 8,5km2 dhe thellësi maksimale prej 3,8m.

Godulla e Pishës ndodhet në veriperëndim të pyllit të Divjakës, rrethohet nga pylli dhe mjaft duna me shkurre e pisha. Spiaxho dhe Këneta e Osmanit, janë laguna të vogla në pjesën veriore të sistemit kënetor. Vlerat këtij ekosistemi ia shton dhe prania e disa bimëve endemike dhe të rrezikuara.

Fauna e kompleksit Divjakë-Karavasta është mjaft e pasur dhe e larmishme, si rrjedhojë e mjediseve dhe habitateve të ndryshëm, që shfrytëzohen për dimërim, folëzim apo shtegtim nga shumë lloje shpendësh. Janë evidentuar rreth 25 lloje të gjitarëve, afro 29 lloje zvaranikësh dhe amfibësh (duke përfshirë dhe breshkën e detit) dhe më tepër se 210 lloje shpendësh dimëror. Nga zvaranikët më të zakonshëm dallohet Breshka e detit (Caretta caretta), e cila nga viti 2018 ka folenizuar në këtë park.

Në ligatina, në pyll dhe në sektorët e tjerë të parkut takohen 229 lloje shpendësh, por ky numër mund të pasurohet edhe më tej nga vrojtimet e mëtejshme ornitologjike. Meqë ligatinat janë mbizotëruese, llojet më të zakonshme janë shpendët e ujit, ndjekur nga shpendët harabelorë në mjediset shkurrore dhe pyjore. Më e pasur është stina e dimrit, kur vijnë shpendë nga zonat malore apo nga veriu i vendit.

Ky komunitet i shpendëve e bënë ekosistemin një vend unik dhe karakteristik, përsa i takon shumëllojshmërisë dhe pranisë së llojeve të rrallë, të rrezikuar e të kërcënuar globalisht. Karabullaku i pigmentuar, Rosa kokëbardhë, Dallëndyshja e vogël e detit, Ixobrychus sp, Botarius sp, Haemantopus sp, Tringa sp, Sterna sp, Laurus sp, Rosa kokëbardhë dhe llojet e rosave, të patave, Çafka e madhe e bardhë, Çafka e murrme, Drenjashi, Bisht tundësi, Bilbili, Mëllënja, Gushëkuqi, Gjeraqina e zezë, Lauresha me kreshtë, L. e argjendtë, L.e qiellit etj, janë disa nga llojet e rrezikuar e të kërcënuar për zhdukje.

Laguna e Karavastasë radhitet në lagunat me rëndësi të madhe si zonë e rëndësishme për llojet shtegtare dhe si habitat i mbi 20,000 shpendëve dimërues. Gjatë verës, laguna frekuentohet dhe nga shpendë të tjerë. Ndaj është rradhitur në zonat IBA (Important bird Area), ose ligatina Ramsar, me rëndësi ndërkombëtare për shpendët. Laguna është e njohur për koloninë e madhe të pelikanit kaçurrel, e vetmja pikë folenizimi bregdetar të Shqipërisë. Me ndalimin e gjuetisë për një periudhë të caktuar, ka sjellë shtimin e dukshëm të kolonisë së pelikanëve, madje edhe të Flamengove, të cilat ishin tepër të rralla. Në zonën e parkut mbarështohet Buallica (Bubalus bubalis) një lloj i mbrojtur në Shqipëri.

Në PK të Divjakë-Karavastasë janë evidentuar rreth 16 tipe habitatesh, sipas Listës së Habitateve të NATURA 2000, prej të cilave 6 tipe habitatesh janë listuar si prioritare.

Bazuar në përditësimet e fundit janë evidencuar: 7 lloje, floristike të rëndësishme, 1 lloj, endemike, 2 lloje, të Aneksit IVb, të Direktivës së Habitateve dhe 4 lloje, të Konventës së Bernës. Rriten 2 lloje, të rralla dhe subendemike. Gjithashtu, janë evidentuar llojet faunistike të Listës së IUCN-s, ku: 2 lloje, Seriozisht të rrezikur, 3 lloje, Të rrezikuar, 13 lloje, Thuajse të rrezikur, 7 lloje, Vulnerabile, 90 lloje në listën e IUCN-s.

Karavastaja dhe mjediset ujore rreth saj si dhe bregdetit janë habitate shumë të rëndësishëm për disa lloje peshqish. Llojet kryesore janë: Ngjala, Kocja, Levreku, Qefulli etj

Në park gjejmë edhe këto MN: Ishulli i Pelikanit; Dunat e oazit të Divjakës; Pisha e Egër në oazin e Divjakës; Gorrica e Kryekuqit; Vidhat e Zharnecit, etj.

Parku është ndër vendet e preferuara në bregdetin ranor Shqiptar për ekoturizëm detar, çlodhje, kërkime e studime. Në afërsi të parkut ka edhe shumë monumente kulturore me vlera turistike.

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM