Hotoves-Canyon

BREDHI I HOTOVËS - DANGËLLI

Me vendim të Këshillit të Ministrave nr.59, datë datë 26.1.2022 Parku Kombëtar “Bredhit të Hotovës-Dangëlli”, u zgjerua me sipërfaqe 3 6 003.76 hektarë. Parku ndodhet në juglindje të Shqipërisë, në verilindje të qytetit të Përmetit; në malësinë e Dangëllisë dhe të Shqipërisë dhe në lartësitë nga rreth 230m në 1,663m mbi nivelin e detit, në verilindje të lumit Vjosa.

Ky park është më i madhi i vendit dhe dallohet për vlera të larta të biodiversitetit. Formon një kurorë gjigante të gjelbër dhe për nga madhësia, të vetmin masiv pyjor në jug të vendit. Ndaj mund të cilësohet “mushkëria natyrore” e Shqipërisë Jugore. Pamja madhështore e parkut shpaloset befas nga hyrja e luginës së Lomnicës, deri afër malit të Kokojkës. Pylli me dominim të Bredhit të Maqedonisë, konsiderohet një nga reliktet bimore mesdhetare më të rëndësishme në Shqipëri dhe një nga parqet më të mëdhenj në Ballkan me këtë bimë relikte.

Mjaft aktive janë shkëputjet tektonike në krahun e djathtë të sinklinalit të Përmetit dhe në lindje të antiklinalit Postenan-Melesin, me të cilët lidhen burimet e nxehta minerare në Bënjë e Vromoner dhe avujt minerarë në Postenan. Kjo zonë është e copëtuar nga një rrjet shumë i dendur hidrografik, degë të Osumit e të Vjosës. Lumi i Lengaricës, ndërpret tërthor malësinë e Dangëllisë dhe derdhet në Vjosë.

Parku ka vlera të larta të biodiversitetit, larmi të ekosistemeve, duke përfshirë një koleksion të rëndësishëm të Bredhit të Maqedonisë. Pylli i bredhit (800-1,500m), në përgjithësi është i thjeshtë, por edhe i përzier me Bungë, Panjë mali, Pishë të zezë, ndërsa në pjesën e poshtme me lloje drurësh mesdhetarë, si: Qarr, Shkozë, Mëllezë, Qershi e egër, Lajthi, Dëllinjë e zezë dhe e kuqe, Trëndafil i egër, Manaferra etj. Parku gjithashtu ka pyje pishe, kryesisht Pishë të egër dhe Pishë të zezë. Përgjatë përrenjve dhe lumenjve, ka pyll Rrapi, veçanërisht në afërsi të lumit Lengaricë dhe grumbullimeve pyjore të Polmenit. Rrapishtet përfshijnë disa drurë të vjetër.

Në livadhe takohen shumë lloje të rëndësishme e me status të veçantë. Llojet kryesore të luleve përfshijnë: Rigon, Haraqinë e Bertiskut, Haraqinë mjekësore, Bari i mushkërisë, Trëndafil i egër, Urthi, Xhërrokulli vjeshtor, Pelini, Luleshqerra, Çikorja, Saleporet, Kërpudha e Cezarit, Kërpudha e Ariut etj, shumica e bimëve kanë vlera mjekësore.

Bota shtazore është e larmishme. Parku ka një nivel të lartë të llojeve të kafshëve të egra. Takohet një shumëllojshmëri grupesh invertebrore dhe vertebrore. Në park takohen 11 lloje Amfibësh, më të njohura janë: Bretkosa barkëverdhë, Thithlopa, Bretkosa e pemëve, Bretkosa e përrenjve, Bretkosa e zakonshme, Tritoni i madh, E bukura e dheut, etj. Gjenden rreth 19 lloje Reptilësh që përfaqësohen nga: Breshka e zakonshme, Breshkujësja evropiane, Zhapiku i gjelbër, Shigjeta e gjatë, Shigjeta e gjatë e Ballkanit, Bolla laramane, bolla me katër vija, Bolla e shtëpisë, Bolla me katër vija, Gjarpri i vogël i ujit, Nepërka, etj. Janë gjetur 14 lloje peshqish, kryesisht në Lumin e Vjosës, si: Mërena e Mesdheut, Mërena me gjemba, Peshku i motit, etj.

Parku dallohet për lloje të shpendëve dhe brenda parkut takohen 142 lloje shpendësh të lidhur me ekosisteme dhe habitate të ndryshme si: Shqiponja e maleve, Shqiponja gjarpërngrënëse, Kali i qyqes, Bufi, Kukuvajka mjekroshe etj. Përgjatë Vjosës dhe degëve të saj, mund të shihen lloje shpendësh ujorë, si: Çafka e përhime, Çafka e bardhë e vogël, Bilbili peshkatar.

Janë evidentuar rreth 46 lloje të Gjitarëve, më të zakonshme janë: Ariu i murrmë, Ujku, Baldosa Shqarthi, Larmia e përbërjes gjeomorfologjike, rrjeti ujor si dhe klima e parkut, kanë favorizuar prezencën e 15 tipave të habitateve natyror. Këtu vlen të theksohet prania e makies me Mëllagjeri, thuajse i vetmi vend i saj në Shqipëri.

Në park dhe afër tij ndodhen disa objekte dhe ndërtesa të rëndësishme kulturore e historike, që kanë marrë statusin e monumentit të kulturës.

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM