Buna river-Velipoje Protected Landscape

Buna

“Lumi Buna Velipojë” është Peizazh i Mbrojtur, Kategoria e V (IUCN). Pjesë e rrjetit EMERALD dhe IBA. Në sipërfaqen e peizazhit të mbrojtur përfshihen 40km gjatësi të Lumit Buna dhe 8km të Lumit Drin. Sipërfaqja e përgjithshme është 21,678.85 ha. Përfshin lumin Bunë dhe zonën bregdetare-ligatinore të Velipojës. Ndodhet në fushën e Nënshkodrës, pjesën jugore të gjithë Ultësirës së Shkodrës. Ultësira është formuar në brezin e takimit të katër zonave tektonike: Alpeve, Mirditës, Krasta-Cukalit dhe Krujës, që kushtëzon larminë e ndërtimit litologjik (gëlqerore, flish e molasa) dhe strukturor. Fusha përbëhet nga depozitime të imëta, më shumë argjilore, të Drinit, Gjadrit dhe Kirit. Kanë mbizotëruar lëvizjet ulëse, ndaj fushat janë të sheshta dhe me lartësi fare të vogël mbi nivelin e detit, madje ka sektorë me të njëjtën lartësi me këtë nivel. Në këto kodra janë disa gryka karakteristike që kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve si: Gjo Lulit, midis kodrinës së Thanishtës e të Shtirës dhe e Bunës. Në këtë rajon shtrihen fushat e Bunës dhe e Torovicës. Klima e fushës së Nënshkodrës, duke qenë nën ndikimin më të fuqishëm të detit, është më e ngrohtë dhe me kontraste më të vogla sesa ajo e Mbishkodrës. Hidrografia është më e pasur dhe më e plotujshme se ajo e fushës së Mbishkodrës. Kjo lidhet me ushqimin më të bollshëm të përfaqësuar nga liqeni dhe pellgu i madh ujëmbledhës i Drinit. Ujërat nëntokësore janë të shumta dhe afër sipërfaqes. Lumenjtë janë Buna dhe Drini. Lumi i Drinit, nga Vau i Dejës deri në Bunë, ka shtrat shumë të gjerë, 2-3km. Drini e ka ndryshuar vazhdimisht shtratin e tij, gjë që lidhet me depozitimet e shumta të ngurta. Ndarja e Drinit në dy degë përmendet për herë të parë në shekullin XV dhe për herë të dytë në mesin e shekullit XIX. Zona e mbrojtur përfshin pjesën jugore të Grykëderdhjes së lumit Buna, i vetmi lumë fushor që buron nga liqeni i Shkodrës. Ka gjatësi 44km, gjerësi 35-50m, rrjedh përgjatë kufirit me Malin e Zi, për tu derdhur në detin Adriatik. Regjimi hidrologjik i Bunës përcaktohet nga regjimi i liqenit të Shkodrës dhe i Drinit, duke qenë kështu pjesë e një rrjeti hidrografik shumë kompleks, i cili shtrihet gati në 1/5 e Gadishullit të Ballkanit, në Shqipëri, Mali i Zi, Kosovë dhe Maqedonia e Veriut.

Rrjedha e fortë e lumenjve ka krijuar një nga sistemet më të rëndësishme ligatinore në Shqipëri, duke siguruar një habitat të rëndësishëm për shumë lloje shtazore dhe bimore. Njëherazi shërben si një rezervuar kompensues për zonën e përmbytjes së Bunës, duke ruajtur ekuilibrin e ujit dhe zvogëlimin e përmbytjeve. Sedimentet e mbartura nga Buna kanë një rol të rëndësishëm për morfologjinë e bregdetit dhe të vijës bregdetare, e cila është subjekt i erozionit të fortë bregdetar në zonën e Velipojës. Zona e mbrojtur përfshin tre njësi kryesore tokësore:

  • Rrafshi alluvial, i përbërë nga grykëderdhje dhe torfat holocenike të depozituara nga lumi Buna, këneta, pyje aluviale dhe lumenjsh;
  • Vargu i kodrave të ulëta, përmbajnë gëlqerorë të sipërm Kreteko-Paleocenik dhe Dolomite, dhe mbulohen me bimësi mesdhetare. Kodra ka drejtimin juglindjeveriperëndim, pjesa veriore, e njësisë administrative të Velipojës dhe pjesa jugore, e njësisë administrative të Dajçit, me lartësinë maksimale prej 500m, në Majën e Zezë (në veri të Lagunës së Viluni).
  • Sistemi i dunave bregdetare, i përbërë nga rëra të depozituara nga lumi Buna, si një rrip i ngushtë përgjatë gjithë bregdetit.
Përgjatë rrjedhjes së poshtme, Buna krijon një kompleks ligatinor, si Liqeni i Shasit, këneta e Mertemzës, e Domnit, e Velipojës dhe Laguna e Vilunit dhe shumë kanale lidhëse midis tyre. Të gjithë këto habitate janë të pasura me pyje, makrofite të zhvilluara dhe shpendë dimërues dhe folenizues.
Karakteristikat kryesore natyrore përfshijnë:
  • Lumi Buna, është tipik fushor dhe i vetmi lum me deltë të vërtet natyrore, në të cilën ndodhet Ishulli Ada.
  • Zona ligatinore Grykëderdhja e Bunës-Velipojë mbulon një trekëndësh toke midis lumit Buna, detit dhe skajit perëndimor të Velipojës. Rajoni mbështet një mozaik të larmishëm të habitateve ligatinore, duke përfshirë kënetën e Pentaria dhe një pjesë të konsiderueshme të pyjeve aluvionale.
  • Bregu i përmbytjes së Bunës, përfshin pjesën kryesore të ZM, dhe tani është shndërruar kryesisht në tokë bujqësore.
  • Këneta e ujërave të ëmbla Domni, përfshin një zonë të konsiderueshme me kallamishte, e vendosur përgjatë rrugës nga Shkodër në Velipojë, midis kodrave karbonike në kryqëzimin e njësive administrative Dajç, Bushat dhe Velipojë.
  • Laguna e Viluni, përfshin një trup të konsiderueshëm me ujë të kripur që ndodhet rreth 2 km në lindje të plazhit të Velipojës. Laguna, gjithashtu, merr ujë nga deti, me të cilin është e lidhur me një kanal rreth 500 m i gjatë dhe 30-40 m i gjerë.
Laguna e Vilunit, më kryesorja e zonës ndodhet në skajin jugor, të fushë së Velipojës. Është veçuar nga deti, nëpërmjet brezit litoral. Lidhet me detin me një kanal natyror, në të cilin shkëmbehet uji midis detit dhe lagunës. Dallohet për botë të gjallë të pasur dhe të larmishme, sidomos shpendë. Baks-Rrjolli, shtrihet përgjatë vijës bregdetare, në lindje të Lagunës së Viluni. Përveç lumit Buna, takohen një larmi të madhe të zonave ligatinore sipërfaqësore që variojnë nga sezonale në të përhershme dhe me ujëra të ëmbla. Bimësia natyrore kufizohet kryesisht në pjesën e mbetur të 40% të zonës. Megjithkëtë ZM paraqet një larmi të madhe të bashkësive të bimëve. Ky diversitet ka të bëjë jo me pasurinë e florës, e cila nuk është e jashtëzakonshme për një zonë mesdhetare, por me një mozaik kompleks të habitateve që lidhen me ndryshime delikate gjeologjike. Vegjetacioni i ligatinave është veçanërisht i larmishëm. Tre nga shoqërimet bimore përshkruhen si të reja: Clematido viticellae-Punicetum granatae (pyje të ulët pyjore në pjesët e poshtme të kodrave ), Medicago minimae-Aegilopetum triuncialis (tokë me bar të ulët në zonat e shqetësuara, në dunat e pasme të plazhit të Rrojës) dhe Periploco-Alnetum (pyll alluvial, në grykëderdhjen e Lumit Buna). Janë identifikuar gjithsej 19 bashkësi specifike të bimëve me interes të veçantë për ruajtjen. Këto përmbajnë të 5 llojet pyjore aluviale, 8 lloje ligatinash, 3 lloje dunash rëre dhe, në zonën kodrinore 1 komunitet lisi të thatë dhe 2 bashkësi shkurresh. ZM mbështet një larmi të gjerë të llojeve shtazore dhe është veçanërisht i pasur me lloje ujore, me interes global, rajonal dhe kombëtar për ruajtje. Llojet më të zakonshme të gjitarëve përfshijnë: Lepus capensis, Vulpes vulpes, Canis aureus, Meles meles, Mustela nivalis dhe Sus scrofa. Në lumin Buna, deri në Grykëderdhje, takohen: Tursiops trungon dhe Lutra lutra, globalisht të kërcënuar. ZM mbështet një komunitet të pasur zogjsh, gjithashtu është një nga tre korridoret më të rëndësishme për shtegtimin e shpendëve në Evropë, si edhe një vend i rëndësishëm për dimërimin dhe folenizimin e shpendëve ujor. Janë regjistruar rreth 138 lloje të shpendëve, nga të cilët 114 lloje që shumohen, 16 lloje të mbarështimit të mundshme, 52 lloje klasifikohen si të rregullta dhe 51 si kalimtarë të rastit ose vizitorë të dimrit, etj. Reptilët përfaqësohen nga 19 lloje, të gjitha përfshihen në listën e kuqe të IUCN-s. Amfibët 11 lloje. Buna dallohet për rolin e saj të rëndësishëm në ruajtjen e faunës peshkore, pasi nëpërmjet saj migrojnë rreth 13 lloje peshqish për në det nga Liqeni i Shkodrës dhe Lumi Drin. Janë regjistruar rreth 143 lloje të peshqve (Lumi Buna, Deti dhe Laguna e Viluni). Blini (Acipenser sturio), konsiderohet thuajse i zhdukur. Megjithëse në komunitetin e peshkut mbizotërojnë llojet tipike të ujërave të freskëta, aty përfshihen një numër i llojeve detare. Nga jovertebrorët brenda ZM janë regjistruar 217 lloje. Janë evidentuar: 26 tipe habitatesh, sipas Listës së Habitateve të NATURA 2000, prej të cilave 7 tipe habitatesh të listuara si prioritare, të cilat kërkojnë masa specifike për ruajtje. Nga flora janë evidencuar: 7 lloje, floristike të rëndësishëm, 1 lloj, endemik (2 lloje, të rralla: Tanacetum cinerarifolia dhe Quercus robur var. scutariensis), 2 lloje, janë të përfshira në Aneksin IVb, të Direktivës së Habitateve dhe 3 lloje, të Konventes së Bernës. Gjithashtu, janë evidencuar lloje faunistike si: 3 lloje, Seriozisht të rrezikuar, 2 lloj, Të rrezikuar, 10 lloje, Thuajse të rrezikuar, 8 lloje, Vulnerabël, 78 lloje, Jo shqetësues, 3 lloje, Nuk ka të dhëna dhe 24 lloje, Jo në listën e IUCN-s.

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM