DCIM100MEDIADJI_0273.JPG

Qafështamë

Parku Natyror “Qafështamë”, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 60, datë 26.1.2022 u miratua ndryshimi i statusit dhe sipërfaqes së ekosistemit natyror “Qafështamë” nga “park kombëtar” (kategoria II e zonave të mbrojtura) në “park natyror” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), me sipërfaqe nga 2 000 ha në 6 864.36 ha.

Ndodhet në verilindje të qytetit të Krujës, në jug të malit të Skënderbeut, në qafën midis këtij mali dhe malit të Xibrit, në lartësitë nga 525-1,724m. Përshkohet nga rruga automobilistike që lidh Krujën me Burrelin dhe luginën e Matit. Dallohet për natyrën e veçantë, me forma interesante të relievit strukturor, akullnajor dhe eroziv, për peizazhin mahnitës, burimet me ujë të pastër, të ftohtë dhe kurues; për botën e egër të pasur dhe të larmishme.

Bën pjesë në zonën malore qëndrore. Përfshin një ekosistem natyror tokësor i vendosur kryesisht mbi formacione gjeomorfologjike ultrabazike, flish alevrolite-ranoro-mergelor dhe gelqeror-mergelor. Në jug;indje të grykës së Matit ngrihet Mali i Skënderbeut (1,724m), me majën e Shkallës së Valës dhe të Mëllezit (1,113m), të përbëra nga gëlqerorë. Më në juglindje gëlqerorët ngushtohen, ulen dhe marrin karakterin e blloqeve të veçuara.

Vargjet malore të Skënderbeut përbëhen nga dy vargjet kryesore: nga vargu Krujë-Dajt, në perëndim, dhe vargu mali i Skënderbeut-Mali me Gropa, në lindje. Midis këtyre qafave dallohet Shkalla e Vajës dhe Qafa e Shtamës (1,230m) etj. Zona ndërtohet nga gëlqeroret e Trias-Jurasit dhe të Kretës së sipërme, nga magmatiket dhe pjesërisht nga flishe.

Vargu malor Krujë-Dajt karakterizohet nga një strukturë e rrudhosur e tipit linear e prirur nga perëndimi, me njërin krah të përmbysur, zakonisht të ndërlikuar nga shkëputjet tektonike, e cila kalon gjatë rrëzës perëndimore, të vargut malor Krujë-Brar-Dajt.

Vargjet malore ndërpriten tërthor nga luginat lumore të përrenjve Zezës dhe Drojës, që formojnë në gryka të thella e tepër të ngushta që presin vetëm vargun Krujë-Dajt. Shtretërit e këtyre përrenjve kanë gjerësi prej 10-40m, në lumin e Zezës, shtrati zgjerohet 50-80m. Duke vazhduar rrjedhjen e tyre nga lindja në perëndim, kanë formuar dy gryka të ngushta dhe të thepisura: Shkallën e Vajës dhe Grykën e Zezës.

Në zhvillimin morfologjik të vargut rol të madh kanë luajtur thyerjet tektonike dhe zhvillimi i vrullshëm neotektonik Pliocen-Kuaternar. Rrjedhim i këtij copëtimi është formimi i një relievi me kontraste të theksuara si: Mali i Krujës (1,422m), etj.

Mali i Krujës, përbëhet nga shkëmbinj gëlqerore të Kretakut të sipërm dhe Eocenit. Pjesa e poshtme e shpateve mbulohet kryesisht nga Flishi-Oligocenik. Përfaqëson një strukturë të rrudhosur, të tipit linear me krah perëndimor, të përmbysur e të ndërlikuar nga shkëputjet tektonike. Në veriperëndim ulet gradualisht me një reliev të butë karstik, në drejtim të Laçit dhe Milotit, kurse në jugliindje bie thikë mbi grykën e Zezës, që e ndan nga mali i Gamtit dhe i Brarit. Lartësia e faqeve kufizuese arrin 700-800m, pjerrësia 50-700, duke formuar në këtë mënyrë humnera e rrëpira vertikale. Mbulesa bimore është relativisht e varfër. Përfaqësohet nga llojet e dushkut, Ahu dhe halorët, në rrëpirat (shpati perëndimor). Në grykat lumore bimësia është relativisht e dëndur. Dallohet veçanërisht kati i makjeve (Mare, Shqope, Xinë, Ilqe e Mrete).

Qafa e Shtama e ndan vargun nga Mali i Xibrit. Është formuar në kontaktin tektonikolitologjik, midis ultrabazikeve dhe terrigjeneve. Në rajonin e Qafë Shtamës shfaqen shkëmbinj flishi të paleogjenit. Në pellgun e Qafë Shtamës zënë fill dy përrenj me drejtim të kundërt, përroi i Qafë Shtamës dhe një degë e Lumit të Zezës. Në Lumin e Zezës derdhen dy përrenj: i Tenës dhe i Lugut Lazrait. Në Qafë Shtamë gjendet një pyll pishash dhe disa burime me ujë të ftohtë dhe bukuri të rrallë.

Bimësia në përgjithësi është e pasur dhe e shumëllojshme, me shtrirje vertikale shumë të qartë. Brezi i ulët (deri në 600m) është i veshur me makje (Mare, Shqopë, Ilqe, Mretë etj.). Në pjesët e tjera, me rritjen e lartësisë, ndodhin ndryshime në mbulesën bimore. Brezi i mesëm (deri në 1,000m) përfaqësohet nga Dushku, Shkoza, Mëlleza, Frashëri, Panja, Bliri, Krekëza etj., kurse Brezi i lartë (1,400-1,700m) nga Ahishtet dhe Halorët (kryesisht Pisha e zezë).

Aspekti më me vegjetacional është shoqërimi Forsythio-Pinion, specifikë për vendin tonë. Kati drusor, në lartësi, përfaqësohet kryesisht nga shoqërimet e Pishës së zezë (Pinus nigra) dhe Ahut (Fagus sylvatica). Shoqërimet bimore të Pishës së zezë me Erica herbacea dhe me Euphorbia, konsiderohen karakteristike për shkëmbinjtë ultrabazikë të vendeve të ndriçuara e të thata.

Parku shquhet për pyjet e tij të dominuara nga Pisha e Zezë dhe Ahu në lartësitë mbi 800900m ose me dushqe dhe shkozë poshtë këtyre lartësive.

Shoqërimet bimore Pishë e zezë me Erica herbacea dhe me Euphorbia, konsiderohen karakteristike për shkëmbinjët ultrabazik, të vendeve të ndriçuara dhe të thata. Katet e bimësisë janë të diferencuar. Kati drusor përbëhet kryesisht nga llojet Pishë e zezë dhe Ah në lartësi, ndërsa në vendet më të ulta nga llojet e lisit: Shparthi (Quercus frainetto), Qarri (Quercus cerris), Bunga (Quercus petrea), etj.

Nënpylli dominohet nga shkurretat mesdhetare, me bimë shtatshkurtër dhe të grumbulluar në tufa. Përfaqësohen nga Shqopa (Erica arborea) dhe Euforbia. Në territorin e parkut takohet shpesh Boshtra (Forsythia europaea), bimë endemike e Shqipërisë. Në brendësi të grumbujve pyjor gjenden, në përhapje të konsiderueshme, Dëllinja e kuqe (Juniperus oxydenrus), Shkoza e zezë (Carpinus orientalis), Frashëri i bardhë (Fraxinus ornus), Pistacia terebinthus, Lofata (Ceris siliquastrum), Murrizi (Crataegus), Driza (Paliurus spina-cristi), Gështenjës (Castanea sativa), etj.

Bimësia barishtore përgjithësisht nuk është e larmishme. Përfaqësohet nga graminacet. Të shpeshtë në park janë bimët e familjes së trëndafilave, Luleshtrydhja, etj. Bimët mjekësore si: Sherebela, Lule bliri, Trumza, Aguliçja, Lule shtogu, Salepi, Lule basani, Hithra, Kokrrat e shtogut, Rigoni, Bar pezma, Njëmijë gjethëshe, Lule kamomili, Thundërmushka, Mëllaga, Zhumbricat, Shpatorja e shumë të tjera. Vende vende takohet edhe fier mashkulli.

Mbi brezin e drurëve pyjorë ose në çeltirat pyjore dominojnë kullota natyrore me bimësi të dominuara nga Rudithet Bishtpelëza (Festuca sp.) (Brachypodium sp.) dhe Pendëkaposhi (Stipa sp.), të cilat shpesh përzihen me Dëllinjën e zezë dhe të kuqe.

Janë identifikuar disa lloje Amfibësh dhe Zvarranikësh, si: Salamandra salamandra, Triturus vulgaris, Bufo bufo, Rana dalmatina dhe Hyla arborea; Testudo hermani, Emys orbicularis, Lacerta viridis, Podarcis muralis, Coluber jugularis, Coluber najadum, Elaphe longissima, Vipera ammodytes, Natrix natrix, etj.

Nga Shpendët takohen: Bufi (Bubo bubo), Shqiponja e malit (Aquila chrysaetos), Huta grerëzangrënëse (Pernis apivorus), Krahëthati (Falco peregrinus), Gjeraqina (Accipiter gentilis), Qukapiku i zi (Dryocopus martius), Korbi (Corvus corvus), Thëllëza e malit (Alectoris graeca), Pëllumbat e egër, Mëllenja, Shapka malit etj.

Parku është bërthamë për gjitarët e mëdhenj, si: Ariu (Ursus arctos), Ujku (Canis lupus), Dhelpra (Vulpes vulpes), Kaprolli (Capreolus capreolus), Derri i egër (Sus scrofa), Kunadhja (Martes foina), Zardafi (Martes martes), Baldosa (Meles meles), Lepuri i egër (Lepus europaeus), Ketri (Sciurus vulgaris), Nuselala (Mustela nivalis), etj.

Flora e parkut nuk shquhet për sasi në lloje, por për llojet e rralla të habitateve kullosore dhe shkurrore të tij. Bazuar në përditësimet e fundit (Nëntor 2019) në territorin e PN janë evidencuar: 7 tipe habitatesh natyror, 10 lloje, floristike të rëndësishme (Ndër llojet e rralla dhe të rrezikuara të parkut dallohet Lulekambana e Skënderbeut, në mjedise gëlqerore dhe Boshtra (Forsythia europaea) me Yllin Shqiptar (Galatella albanica), në mjediset serpentinore), 8 lloje, endemike, 1 lloj, të Aneksit IV, të Direktivës së Habitatit, 1 lloj, të Konventës së Bernës dhe 1 lloj, të Listës së Kuqe të IUCN-s.

Gjithashtu, janë evidencuar llojet faunistike të Listës së IUCN-s, ku: 11 lloje, Thuajse të rrezikuar, 6 lloje, Vulnerabile, 49 lloje, Jo shqetësuar, 2 lloje, Nuk ka të dhëna dhe 12 lloje, Jo në listën e IUCN-s.

Ka vlera ekologjike, estetike, turistike dhe kurative. Në përgjithësi pamja e parkut është rrethore e piktoreske. Konfiguracioni përbëhet nga shpate, kurrize, lugina e lëndina. Lartësia më e madhe është maja e Liqenit 1,723m dhe maja Rjepa e Qetkolës 1,680m dhe kuota më e ulët është maja e Fraveshit 791m. Vlerat e mëdha shëndetësore dhe turistike të parkut lidhen me klimën e shëndetshme, të peizazheve, ajrin e pastër, aromën kuruese të pyllit të pishave. të veçantë kanë edhe liqenet akullnajore në pjesën veriore. Zonë malore e preferuar nga publiku për vlerat e sajestetike, çlodhëse dhe kurative.

Ndër burimet ujore përmendet Çezmja e Nënës Mbretëresh, me ujë të pastër, të ftohtë dhe kurativ. Ndaj aty u ngrit qendra e kurimit të sëmundjeve të mushkërive. Njëherazi, vlerat e mëdha turistike lidhen edhe me pamjet spektakolare të majave të larta mbresëlënëse, të pishës dhe të ahut.

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM