Peizazhi i Mbrojtur “Pishë Poro - Nartë”

Pishë Poro - Nartë

Me VKM nr. 694, datë 26.10.2022, ekosistemi natyror/ligatinor “Pishë Poro – Nartë” shpallet “Peizazh i Mbrojtur”, Kategoria e V (IUCN). Pjesë e rrjetit EMERALD dhe IBA.

Përbëhet nga dy pjesë: Pishë Poro dhe Narta. Akumulimi, në zonën e Pishë Poros, aktualisht, zhvillohet në të dy anët e grykëderdhjes së kanalit kullues të Povelçës, në rreth 7 km gjatësi. Për këtë flasin: ndryshimi drejt veriperëndim i grykëderdhjes së kanalit të Povelçës; rritja e shpejtë e gjerësisë së plazhit, rreth 400-500m, me ritëm vjetor të akumulimit 40-50m. Karakteri i sheshtë i plazhit, pa duna, me gjerësi shumë të madhe të pjesës sterile (pa bimësi), flet për moshën vetëm disavjeçare të tij; bunkerët, të vendosur rreth 100m larg vijës detare, aktualisht ndodhen mbi 500m, në brendësi të detit.

Laguna e Nartës (41,5km2), bën pjesë në lagunat e mëdha të bregdetit tonë të Adriatikut. Në skajin jugor të lagunës ngrihen kodrat e ulëta terrigjene të Triportit, të cilat, nëpërmjet brezit litoral, lidhen me skajin jugor të deltës së Vjosës. Ky brez litoral, i mbuluar në pjesën më të madhe me pisha, veçoi lagunën nga deti. Në të janë dy kanale natyrore, nëpërmjet të cilave laguna e Nartës komunikon me detin. Laguna ka thellësi të vogël, mesatare 1,2m dhe maksimalja rreth 2m. Kodra e ulët e Zvërnecit formon një ishull në lagunë. Pjesa veriore e lagunës është kthyer në kripore në fillimet e viteve 1950. Kriporja zë rreth 1,500ha dhe ndahet nga laguna me argjinaturë. Përbëhet nga shumë pellgje të cekëta dhe ishuj të vegjël, të përshtatshëm për shpendët folezues të ujit. Dallohet për botë të gjallë të pasur dhe të larmishëm, ku dallohen shpendët ndenjëtarë dhe shtegtarë.

Laguna e Kallëngës (450ha), është lagunë e cekët. Lidhet me detin me kanal të hapur kohët e fundit. Përdoret për peshkim, në grykën e kanalit, ku është vendosur dajlani.

Pjesa më e madhe e tokave të Myzeqesë së Vlorës janë të hirta kafe livadhore. Në të dy anët e rrjedhjes së lumenjve gjenden toka aluvionale dhe në brezin bregdetar toka të kripura.

Bimësia natyrore tani ruhet vetëm në sektorë të veçantë e të vegjël, sidomos në brezin bregdetar. Vendin e tyre e kanë zënë bimët e kultivuara.

Laguna e Nartës së bashku me deltën e Lumit Vjosa, Lagunën e Kallëngas dhe Kepin e Dajlanit, janë formuar nga prurjet aluvionale të Lumit të Vjosës dhe karakterizohet nga cektësia dhe përmbytja herë pas hershme.

Rajoni është i njohur për florën e veçantë dhe larminë e habitateve, me vlera të veçanta shkencore, ekologjike (shumë gjallesa të rralla) dhe ekonomike (bimë mjekësore, aromatike, industriale dhe dekorative). Mendohet se në të rriten të paktën 800 bimë enësore. Takohen rreth 25 lloje bimësh të rrezikuara. Me interes të madh cilësohet sidomos Orchis albanica dhe forma hibride Orchis paparisti, ndërsa 67 lloje cilësohen me interes ekonomik dhe shkencor.

Në këtë rajon, dallohen tipe të ndryshëm habitatesh natyrore me shtrirje tepër të kufizuar; gjysmënatyrore dhe artificiale me shtrirje dominuese; habitate ujore dhe tokësore, të përbëra nga shumë nënhabitate, si: këneta të përkohshme e të përhershme, kanale kullimi dhe ujitjeje,

rezervuarë me ujë të ëmbël, pyje aluvionale dhe të pishës, bimësi mesdhetare në ishullin e Zvërnecit dhe në kodrat rrethuese.

Kënetat me pak kripësi mbizotërohen nga Ranunculus spp, Chara spp. etj. Në sektorët me kripësi më të lartë dominojnë: Chara canescens, Ruppia maritima dhe Zannichellia pedunculata. Gjatë verës së thatë, mbulohen nga Suaeda maritima, Suaeda splendens etj., ndërsa në sektorët që janë nën trysninë e kullotjes, zhvillohen komunitete Scirpus spp etj.

Fundet e lagunave të kripura mbulohen nga Zostera noltii, mbizotëruese, dhe Ruppia cirrhosa. Të dy llojet, si dhe disa alga, përfaqësojnë biocenozën më të rëndësishme të lagunës së Nartës. Zonat përreth lagunave dhe kënetave në jug të Vjosës popullohen nga disa komunitete bimore, si: Salicornia spp., Arthrocnemum spp., Salsola soda, Limonium spp. Zvogëlimi i kripësisë shoqërohet me rritjen e numrit të llojeve si Arthrocnemum fruticosum, A. perenne etj.

Kanalet ujitëse e kulluese dhe rezervuarët e ujit të ëmbël, strehojnë bimësi komplekse, që, në varësi të thellësisë dhe të kripësisë, përbëhet nga përzierje tipash të vegjetacioni të kënetave të përkohshme dhe të përhershme. Mbizotëron bimësia halo-higrofile e përfaqësuar nga Phragmites australis, Typha angustifolia etj. Tipat e tjerë të bimësisë përfshijnë algat lundruese Lemna minor, Spyrodela polyrhiza etj. Në rezervuarët e ujit të ëmbël mbizotërojnë kryesisht kallamishtet me Phragmites australis, Scirpus maritimus etj., që janë habitat i vlefshëm, si burim i ujit të ëmbël për shumë kafshë të egra.

Pyjet aluvionale në shtratin e lumit janë me dy kate. I pari përfaqësohet kryesisht nga kallamishte dhe lloje të tjera hidrofile; i dyti kryesisht nga klasa Phragmitetalia, me mbizotërim të shoqërimit Phragmites australis, me plasticitet ekologjik mjaft të lartë dhe shtrirje nga brigjet e lumenjve deri larg tyre, ku gjenden llojet: Populus alba, Populus nigra, Salix alba, Salix purpurea, Salix amplexicaulis, Alnus glutinosa, Platanus orientalis, Ulmus minor, Ulmus glabra, Fraxinus angustifolia etj.

Bimësia barishtore, në përgjithësi e varfër, përfaqësohet nga Equisetum telmateia, Prunella vulgaris etj. Në sektorët e lumit me rrymë të fortë dhe substrat zhavorror, rriten shkorrete me drurë, si Rrapi (Platanus orientalis), Shelgjet (Salix elaeagnos), Marina (Tamarix parviflora) etj. Në pjesën e poshtme të lumit, ku rryma dobësohet dhe me substrat ranor dhe argjilor, bimësia dominohet nga Alnus glutinosa, Fraxinus angustifolia, Ulmus minor, Quercus robur (rrallë), Populus alba etj.

Pylli i Pishës shtrihet në sistemin e dunave. Pishat janë mbjellë 40-50 vjet më parë. Ky formacion përfaqësohet nga disa lloje pishash, më të zakonshmet janë Pinus maritima, P. pinea dhe P. pinaster. Kati shkurretor i tij përfaqësohet nga lloje mesdhetare, si Pistacia lentiscus, Erica manipuliflora, Myrtus communis etj. Midis këtyre komuniteteve natyrore, ka breza të kultivuar, me lloje të ndërfutura të Acacia saligna, Agave americana.

Ishulli i Zvërnecit mbulohet nga pylli i Selvisë (Cupressus sempervirens), në shoqërim me Quercus ilex, Quercus pubescens dhe Pinus spp. Kati i shkurretave përbëhet nga lloje si: Myrtus communis, Pistacia lentiscus, Laurus nobilis etj. Kati barishtor ka pak lloje, si Chrysopogon gryllus, Asparagus acutifolius etj.

Rajoni ka larmi kafshësh: insekte, peshq, amfibë, reptilë, gjitarë dhe sidomos shpendë. Studimet tregojnë se takohen rreth 390 lloje jo-rruazorësh, si: molusqe, flutura, krahëfortë, krustace dhe ekinodermate; 102 lloje peshqish, si: Ngjala (Anguilla anguilla), Kocja (Sparus aurata), Levreku (Dicentrarchus labrax), Qefulli (Mugil cephalus), Aterinat (Aterina sp.) etj.; 9 lloje amfibësh; 26 lloje reptilësh, si: Natrix natrix, Malpolon monspensulanum, Testudo hermanni etj.; 192 lloje shpendësh, sidomos të ujit, dimërues dhe folezues.

Narta është laguna e dytë në vend për nga rëndësia për shpendët e ujit, një IBA e rëndësishme. Më të zakonshme janë rosat dhe bajzat. Gjatë sezonit të folezimit, Narta kthehet në vendin e shumimit për shpendësh uji. Afro 88% e tyre përqendrohet në kriporet. Narta është vendushqimi për pelikanin (Pelicanus crispus), por takohen rregullisht flamingot (Phenicopterus ruber).

Regjistrohen 32 lloje gjitarësh, të cilët dominohen nga brejtësit e ndjekur nga lakuriqtë e natës dhe llojet mishngrënëse. Ky rajon është një nga zonat kryesore bregdetare për gjitarët me rëndësi rajonale, kombëtare dhe ndërkombëtare. Dallohen katër lloje gjitarësh të vegjël: dy insektivorë (Talpa caeca dhe Talpa stankovici) dhe dy brejtës (Pitymys thomasi dhe P. felteni), të cilët janë endemikë për Ballkanin Perëndimor dhe/ose rajonin mesdhetar. Katër lloje të rralla janë banorë të përhershëm ose vizitorë: Rhinolophus blasii, Myotis myotis, Mus spicilegus (abboti) dhe Stenella coeruleoalba.

Janë evidentuar 18 tipe habitatesh, sipas Listës së Habitateve të Natura 2000, prej të cilave 6 tipe habitatesh të listuara si prioritare, të cilat kërkojnë masa specifike për ruajtje.

Bazuar në përditësimin e fundit (Nëntor 2019) të “Nartë-Vjosës” janë evidencuar 7 lloje, floristike të rëndësishëm, 1 lloj, endemik dhe 2 lloje, të përfshira në Aneksin IVb, të Direktivës së Habitateve.

Gjithashtu, nga llojet faunistike: 3 lloje, Seriozisht të rrezikuar, 2 lloje, Të rrezikuar, 11 lloje, Thuajse të rrezikuar, 8 lloje, Vulnerabile, 81 lloje, Jo shqetësues, 3 lloje, Nuk ka të dhëna dhe 21 lloje, Jo në listën e IUCN-s.

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM