Shebenik

Shebenik

Me vendim të Këshillit të Ministrave nr.59, datë 26.1.2022 sipërfaqja e ekosistemit natyror “Shebenik”, shpallur “park kombëtar” (kategoria II), është rritur nga 33 894.25 ha në 34 507.9 ha. Është zonë ndërkufitare me Republikën e Maqedonisë së Veriut, në Rajonin Juglindor të vendit, në sektorin e sipërm të pellgut ujëmbledhës të lumit të Bushtricës e të Qarrishtës dhe në malet përreth tyre; në lartësitë nga 300m deri 2,261m (Maja Rreshpës, në Shebenik).

Përbëhet kryesisht nga ultrabazikët, që formojnë një masiv të madh. Format akullnajore më të zhvilluara dhe më të ruajtura janë në shpatin verior dhe lindor, në lartësitë mbi 1,400m, ku shprehen sidomos me cirqe komplekse (i Rajcës, me liqene akullnajore), Pikës etj., dhe me lugje e shpatullore akullnajore. Vlerat e mëdha ekoturistike lidhen edhe me format e relievit relikt akullnajor, me 14 liqenet glaciare, me livadhet subalpine e alpine, me bukurinë e peizazhit, me kontrastet morfologjike, me burimet e ftohta etj.

Lugina e Bushtricës, zë fill në një lug akullnajor në shpatin lindor të Shebenikut. Në sektorin e mesëm është formuar në kontaktin tektonik midis gëlqerorëve dhe magmatikëve.

Lugina e Qarrishtës, është zhvilluar në kontaktin tektoniko litologjik midis gëlqerorëve (bregu verior i lumit) dhe magmatikëve (bregu jugor i tij), ndaj është asimetrike. Fillon me një lug akullnajor me depozitime morenore. Në afërsi të Kosharishtës, lugina kthehet në jugperëndim dhe çan magmatikët dhe molasat e luginës së Shkumbinit të Sipërm.

Malet e Jabllanicë-Belicës shtrihen në formën e kurrizit gjatë vijës kufitare nga Qafa e Kryqit, deri në Qafën e Thanës, nga ku zhyten në drejtim të gropës së Ohrit. Këto male ulen gradualisht fillojnë nga 800m deri në 2,136m lartësi (maja e Jablanicës).

Vlerat e këtij parku janë të jashtëzakonshme dhe me vlera të larta biodiversiteti, me bimë të rralla, endemike, subendemike të shumta, larmi ekosistemesh. Zhvillohen të katër brezat bimorë të vendit: nënkati i Shibliakut, i shkurreve mesdhetare, Dushqe, Ahishte e Halorë dhe Kullota alpine. Ndër llojet kryesore të bimësisë përmendim, pyjet e virgjra të Ahut, me moshë mbi 140 vjet, të shoqëruar nga Bredhi i bardhë, Arneni, Frashri, Ajdësi, Ajshja, Mështekna dhe lloje me prani më të rrallë, si: Plepi, Shelgu, Panja e malitetj.

Takohen lloje të ndryshme të dushkut dhe shoqërimet e tij me Lajthi, Shkozë, Mëllezë, Kullumbri, Vidh, Bli, Shtog, Krekëz, Vodhëz, Qershi e egër, Gorricë e Dardhë e egër; bimë barishtore insektngrënëse; livadhe subalpine dhe alpine të pasura me Çaj mali, Sanëz, Xhërrokull, Lulebalsam, Boronicë, etj. të veçantë kanë bimët e rralla dhe të rrezikuara, si Manushaqja e Dukagjinit (Viola ducadjinika), bimët endemike, si: Rudithi shqiptar, Gjenista (Genista hassertiana) dhe subendemike: Mënishtja shqiptare, Viola gracilis e Ballkanit, Dianthus jablanicensis dhe zambakët shqiptarë (Lily albanica).

Në zonën 1,300-1,800m, në kushte të temperaturave të ulëta dhe rreshjeve të bollshme ndeshen pyjet e Ahut (Fagus sylvatica), të shoqëruara kryesisht me bredh (Abies alba) dhe halorë të tjerë (Pinus nigra, Pinus peuce, Pinus sylvestris).

Në kullotat dhe livadhet e zonës së studimit gjenden bimë të rritura që përdoren për ushqim për njerëzit dhe kafshët (sidomos në “Fushën e Liqenit” dhe “Fusha e Letemit”). Në të kaluarën (para 1990) ato janë kultivuar (kryesisht patate) dhe sot i janë nënshtruar një rehabilitimi natyror, duke marrë statusin e kullotave dhe livadheve. Territorit i parkut për shkak të kushteve shumë të përshtatshme ekologjike është një burim shumë i pasur bimësh mjeksore, aromatike dhe ushqyese.

Në park raportohen 10 lloje amfibësh dhe 15 lloje zvarranikësh, nga të cilët 4 lloje amfibësh dhe 11 lloje zvarranikësh i përkasin listës së Aneksit II të Konventës së Bernës. Disa nga llojet e rralla janë: Testudo hermanni, Salamandra salamandra; Triturus vulgaris; Triturus cristatus; Bombina variegata; Bufo bufo; Bufo viridis; Rana dalmatina; Rana balcanica; Rana graeca; Hyla arborea, etj.; Lacerta trilineata; Lacerta viridis; Podarcis muralis; Coronella austriaca, Coluber jugularis; Coluber najadum; Elaphe longissima; Natrix natrix; Natrix tessellata; Vipera ammodytes, etj. Ujrat e ëmbla të lumenjve Qarrishta dhe Bushtrica dhe përronjve të maleve janë të rëndësishme për Troftën e malit (Salmo trutta fario) dhe Troftën e kuqërremtë.

Zona e parkut është strehë për një bashkësi zogjsh që janë karakteristikë për zona me pyje dhe male larta. Më shumë se 70% e llojeve janë të përhershme dhe më shumë se gjysma paraqesin interes të veçantë për ruajtje. Këto të dhëna tregojnë vlera ornitologjike të veçanta dhe në të njëjtën kohë, një apel për masat ruajtëse të duhura për të mbrojtur këto vlera. Llojet kryesore të shpendve janë: Aquila chrysaetos; Circaetus gallicus; Accipiter nisus; Accipiter gentilis; Tetrao urogallus; Alectoris graeca; Columba oenas; Asio otus; Picus viridis; Dryocopus martius; Garrulus glandarius; Nucifraga caryocatactes; Corvus corax; Turdus merula, etj. Gjendet gjithashtu një faunë shumë e pasur dhe interesante gjitarësh.

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM