theth

Alpe

Parku i Alpeve u shpall me vendim të Këshillit të Ministrave nr.59, datë 26.1.2022. Në këtë park u bashkuan ekosistemet natyrore “Lugina e Valbonës” dhe “Theth”, shpallur “park kombëtar” (kategoria II) dhe “Lumi i Gashit”, shpallur “rezervë strikte natyrore” (kategoria I), në park kombëtar “Alpet e Shqipërisë” (kategoria II), në total 82 844.65ha.

Alpet Shqiptare, me gjatësi 64km, gjerësi 60km dhe sipërfaqe 2,020km², përbëjnë krahinën më malore dhe më interesante të vendit tonë. Ato na radhitin në vendet e pakta të Evropës me Alpe.

Këtu ndodhen dhe shumica e majave të Shqipërisë me lartësi mbi 2,000m, majën më të lartë e Alpeve, Jezerca (2,694m), e dyta pas majës së Korabit (2,751m).

Relievi ka formën e një kupole të madhe, ndërsa kurrizet malore e luginat kanë shpërndarje rrezore. Me vlera të veçanta janë format e relievit karstik dhe akullnajor. Të shumta janë shpellat e mëdha karstike, që arrijnë deri 5km gjatësi (shpella e Pucit) etj. Relievi reliktor akullnajor, me përhapje më të madhe se kudo në Shqipëri, lidhet me lartësinë e madhe, me pozitën më veriore dhe me relievin më të zhvilluar paraakullnajor.

Midis lumenjve kryesorë të Alpeve janë: Shala, Valbona, Cemi, Curraj-Nikaj, Kiri, Gashi, Përroi i Thatë etj. Janë rreth 30 liqene akullnajore, të vendosura në grupe, si në: malësinë e Gashit (Dobërdol e Sylbicë), në Runicë dhe bllokun e Jezercës. Tokat janë të kafenjta malore, të murrme pyjore dhe livadhoremalore. Shtrirjen më të madhe e kanë tokat e murrme pyjore, të zhvilluara nën pyjet e ahut dhe të halorëve.

Bimësia dallohet për pasuri (pyjet zënë rreth 36% të sipërfaqes) dhe për larmi të madhe. Për shkak të formës së përgjithshme të Alpeve brezat bimorë ngushtohen shkallë-shkallë nga rrethinat drejt qendrës së tyre, duke marrë formën e rrathëve bashkëqendrorë përreth kupolës. Ngritja e menjëhershme e lartësisë së relievit kushtëzon kalimin nga brezi i shkurreve në atë të Ahut, etj. Në Theth, Valbonë etj., vihet re përmbysja e kateve bimore, pasojë e liqeneve të ajrit të ftohtë. Në lartësitë mesatare dhe në kufirin e sipërm të tij (900-1,000m deri 1,800m), brezi i Ahut shpesh është i përzier me drurë të Bredhit të bardhë dhe Hormoqit, nga Rrobulli dhe Arnenit. Karakteri tepër i izoluar i Alpeve, shkalla shumë e madhe e copëtimit dhe kontrastet e mëdha të relievit të tyre kanë krijuar kushte të veçanta dhe tepër të larmishme ekologjike dhe edafike, me të cilat lidhet numri i madh i bimëve endemike dhe subendemike, si: Ëulfenia baldacci, Viola dukagjinica, Lilium albanicum, Alchemilla albanica Rothm., Ligusticum albanicum Jav., Gentianella albanica, dhe relikte, si hendufitet, shelgu, tisi etj. Janë të shumta bimët e rrezikuara të zhduken. lloje endemike bimore si: Ëulfenia baldaccii.

Bota shtazore është e pasur dhe e larmishme. Përbëhet nga shumë lloje gjitarësh, shpendësh, zvarranikësh dhe amfibësh. Takohen gjitarë të mëdhenj, të mbrojtur dhe të rrallë, si: Rrëqebulli, Dhia e egër, Kaprolli, Ariu, etj. Në ujërat e freskëta të lumenjve alpinë takohet vidra globalisht e kërcënuar.

Ndërsa nga shpendët takohen: Shkaba mjekërroshe, Shkaba, Pula me çafkë, Gjeli i egër, Gjeraqina e shkurtër, Bobo bubo, Strix aluco, Shqiponja perandore, Shqiponja e maleve, Shqiponja e vogël, Shqiponja bishtvizuar, Kali i qyqes, Shqiponja gjarpërngrënëse, Gjeraqina, Skifteri kthetra-verdhë, Skifteri kthetrazi, Skifteri i drurëve, Skifteri i Mesdheut, Krahëthati, Qukapiku i përhimë dhe Thëllëza e fushës, etj. Në ujërat e freskëta të lumenjve alpinë takohet troftat e famshme etj.

Lloje të zakonshme të amfibeve dhe reptileve janë: E bukura e dheut, Salamandra e zezë, Tritoni alpin, Tritoni i zakonshëm, Thithlopa, Thithlopa e gjelbër, Bretkosa barkverdhë, Bretkosa e drurrëve, Bretkosa e pellgjishteve, Bretkosa e kuqërremt, Bretkosa kërcimtare, Bretkosa e përrenjve, Zhapiku i shpejtë, Hardhuca e mureve, Bolla e shtëpisë, Gjarpri i butë, Gjarpri i madh i ujit, Gjarpri i vogël i shiut , Nepërka me bri, Nepërka e vogël e malit dhe Nepërka e malit.

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM