Kune Vain Patok Fushe Kuqe Ishem

Kune – Vain – Tale - Patok – Fushëkuqe – Ishëm

Rezervat Natyror i Menaxhuar “Kune – Vain – Tale - Patok – Fushëkuqe – Ishëm”, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 60, datë 26.1.2022 u miratua ndryshimi i sipërfaqes së ekosistemeve natyrore “Kune – Vain – Tale - Patok – Fushëkuqe – Ishëm”, shpallur” rezevat natyror të menaxhuar” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), nga 93 693.9 ha në 8 092.3 ha.

a. Rajoni “Kune-Vain-Tale”, shtrihet në veriperëndim të Shqipërisë. Rajoni lagunor përfshin lagunat e Kunes (10 km2), Merxhanit (2.5 km2), Knallës (2.2 km2), Cekës (2.2 km2), Vainit (14.5 km2) dhe deltën e Drinit të Lezhës. Është sistemi ligatinor më i ndërlikuar, i vendosur në deltën e rrjedhjes së poshtme të Drinit, të Lezhës, në breg të detit Adriatik. Ndodhet shumë afër qytetit të Shëngjinit dhe pranë fshatrave Ishull Lezhë, Ishull Shëngjin, Tale etj. Përfshin habitate tokësore, laguna, moçale dhe këneta.

Territori përbëhet nga depozitime kënetore, detare e lumore të kuaternarit. Të parat përfaqësohen nga argjila, rëra argjilore e rëra të imëta, me trashësi rreth 1 m, ndërsa trashësia e tokave të pasura me lëndë organike arrin 0,1-0,2m. Depozitimet detare, kryesisht rëra, formojnë brezin 100-300m të gjerë dhe 20-25 m të thellë në bregdet.

b. Rajoni “Patok-Fushëkuqe-Ishëm”, me sipërfaqe rreth 47 km2 ndodhet përgjatë bregdetit bregdetit të Detit Adriatik, në perëndim të Shqipërisë, midis deltës së Lumit Mat dhe Kepit të Rodonit. Ndër sipërfaqet më të rëndësishme janë Laguna e Patokut, delta e Lumit Mat, Droja, kënetat e Godullës dhe Negli.

Vija bregdetare e rezervatit, tepër dinamike, është shumë e ndërliqur: delta në formim dhe të braktisura; breza litoralë të rinj dhe të vjetër; sektorë në gërryerje intensive; laguna të vjetra drejt kënetëzimit dhe në formim e sipër. Në sektorin midis deltës së Matit dhe asaj të Ishmit evolucioni i fushës dhe përparimi i saj drejt detit u kushtëzua nga formimi dhe evolucioni i vazhdueshëm i lagunave detare midis dy deltave fqinje.

Në fushën midis Laçit dhe lagunës së Patokut gjenden tri mbetje të brezave të vjetër litoralë, mbi të cilët u vendosën qendrat e banuara (Gore, Fushëkuqe, Patok) për t’u shpëtuar përmbytjeve të lumenjve apo lagështirës së tepërt.

Rritja e brezit litoral fillon nga kepat ose nga mbetjet e deltave të vjetra të lumenjve, duke sjellë formimin e gjireve detare dhe, më pas, të lagunave bregdetare. Në këtë sektor janë formuar katër brezni lagunash, që kanë ndjekur njëra-tjetrën, si pasojë e bllokimit të lidhjes dhe të komunikimit me detin.

Në perëndim ndodhet laguna e Patokut, e cila po shkon drejt kënetëzimit gradual, ndërsa përballë saj po formohet një lagunë e re, që po veçohet nga deti nëpërmjet një brezi litoral, që zë fill në kepin jugor të deltës së Matit. Mbi këtë brez litoral, rreth 1-2m mbi nivelin e detit dhe me shtrirje paralele me të parin, pas rreth 30 vjetësh është instaluar bimësia dhe është formuar plazhi i ri, ku kanë filluar edhe ndërtimet turistike.

Brezi po rritet me shpejtësi nga veriu në jug, sepse furnizohet me aluvione nga Mati, Grykëderdhja e të cilit tashmë ka pozicion jugor. Ky proces nuk po zhvillohet me të njëjtin ritëm në drejtim të kundërt: nga jugu drejt veriut, pra nga delta e Ishmit. Ky proces do të çonte në formimin e plotë të lagunës së re, e cila është e pesta në radhën e lagunave të formuara në këtë sektor të bregdetit të Adriatikut.

Janë identifikuar rreth 277 lloje të bimëve vaskulare, të përfshira në 67 familje dhe 202 gjini. Numrin më të madh të llojeve bimore e shënon familja Graminaceae, me rreth 35 lloje, e ndjekur nga familja Composiates, me 24 lloje etj. Larmia e faunës, e kushtëzuar nga tiparet fiziko-gjeografike të zonës, shprehet në numrin e madh të llojeve: rreth 110 lloje planktonësh, 17 lloje molusqesh, 117 lloje insektesh, 59 lloje krustacesh, 10 lloje amfibësh, 29 lloje reptilësh, 26 lloje peshqish, 196 lloje zogjsh, 23 lloje gjitarësh.

Rajoni përmban peizazh tokësor, ligatinor dhe detar tërheqës dhe një sistem lagunash, të lidhura me njëra-tjetrën nga Drini i Lezhës. Karakteristikat fizike të mjedisit kanë krijuar kushte të përshtatshme për zhvillimin e habitateve shumë të qëndrueshme, që ofrojnë strehë, ushqim dhe mundësi riprodhimi për shumë lloje llojesh. Në RNM Kune-Vain janë dalluar këta tipa: marin, estuarin, palustrin, riverin. Habitati estuarin është më i rëndësishëm dhe me shtrirje më të madhe, 64% të rezervatit. Takohen këta tipa kryesorë vegjetacioni: bimësi ujore, hidro-higrofile, halophys, psamofile, pyje dhe shkurre.

Ka vegjetacion ujor (të ujërave të njelmëta e të ëmbla) të shprehur mirë, me shtrirje të kallamishteve të ndërthurur me pasqyra uji. Llojet kryesore të vegjetacionit ujor janë: Zosterra noltii dhe Ruppia cirrhosa. Së bashku me algat, formojnë disa biocenoza, që janë një nga burimet e oksigjenit në ujërat e lagunës.

Bimësia hidro-higrofilike mbulon një pjesë relativisht të madhe të lagunës së Kune-Vainit. Përbëhet nga komuniteti i Phragmites australis, shumë i qëndrueshëm ndaj ndryshimeve mjedisore dhe i përhapur më shumë në brigjet e lagunës, të Cekës; komuniteti me Typha angustifolia, më pak i përhapur në lagunë se i pari, në formën e brezit përgjatë lumenjve, kanaleve apo rrjedhjeve të tjera; komuniteti me Scirpus s. etj.

Bimësia halofile, e përhapur në zonat me kripëzim të madh, shprehet me: komunitetet me llojet dominuese Arthrocnemum genera (Arthrocnemum fruticosum, A. perenne, A. glaucum, Salicornea europaea etj.), që jetojnë në tokat kënetore me shumë kripë, të mbuluara nga uji në pjesën më të madhe të vitit; komunitetet me lloje mbizotëruese Juncus genera, të përfaqësuar nga Juncus acutus dhe Juncus maritimus, që shpesh formojnë breza të pandarë dhe, në ndonjë rast, të ndërthurur me komunitete të tjera si Arthrocnemum sp.; komuniteti i Juncus acutus, shumë i qëndrueshëm ndaj ujërave të kripura; komuniteti me dominim të llojeve të Scirpus holoschoenus, Saccarum ravennae etj., me shtrirje të vogël, pas dunave ranore mes komuniteteve të tjera; vegjetacioni i dunave ranore, psamofil, në formë brezi; llojet pioniere pas bregut, si: Cakile maritime, Xanthium stumarium. Rol më të dukshëm luan Cyperus capitatus, Euphorbia palasis etj.

Bimësia e lartë përbëhet nga pyjet dhe shkurre tipike mesdhetare. Komuniteti pyjor është i përqendruar kryesisht në ishullin e Kunes dhe Zajet. Dallohen lloje mbizotëruese të Alnus glutinosa, Fraxinus angustifolia, Ulmus minor, Quercus robur, Populus alba etj. Nënkati i shkurreve përbëhet nga Rubus ulmifolius, Tamarix dalmatica etj. Nënkati barishtor është i pasur me Lythrum salicaria, asparagus acutifolius etj.

Larmia e tipareve të habitateve natyrore ose gati natyrore ka krijuar kushtet për larmi llojesh të faunës. Larmia dhe pasuria e shpendëve të ujit, me rëndësi të veçantë, ka qenë motivi i shpalljes së saj “Rezervat Gjuetie” në vitin 1940. Ndër gjallesat e egra, rëndësi kanë llojet e rrezikuara në shkallë botërore, si: Karabullaku (Phalacrocorax Pygmeus) dhe Lundërza (Lutra lutra), por edhe lloje të tjera të rrezikuara si: Rhinolopus euryale, Milvus migrants, Rana balcanika, R lessone etj. Më të rëndësishmit në nivel vendor dhe kombëtar janë Ardeides, si Ardea cinerea, Egretta garzetta, Egretta alba. Për Ardea cinerea dhe Egretta garzetta.

Ndër shpendët rrëmbyes me dendësi më të lartë në vendin tonë, dallohen Shqiponja e malit (Aquila chrysaetus) dhe Petriti (Falco peregrinus) dhe lloje të rralla që mbrohen nga disa konventa. Rajoni vizitohet shpesh nga Breshka deti dhe Foka mesdhetare, me rëndësi të veçantë në ekosistemin mesdhetar.

Bazuar në përditësimet e fundit (Nëntor 2019) në territorin e RNM/PN “Kune-Vain-Tale” janë evidencuar: 16 tipe habitatesh natyror (sipas Listës së Habitateve të NATURA 2000, prej të cilave 3 tipe habitatesh janë të listuara si prioritare), 5 lloje, floristike të rëndësishme, 1 lloj, endemike, 2 lloje, të Aneksit IV, të Direktivës së Habitatit dhe 2 lloje, të Konventës së Bernës.

Gjithashtu, janë evidencuar llojet faunistike të Listës së IUCN-s, ku: 2 lloje, Seriozisht të rrezikuar, 3 lloje, Të rrezikuar, 12 lloje, Thuajse të rrezikuar, 8 lloje, Vulnerabile, 85 lloje, Jo shqetësuar, 3 lloje, Nuk ka të dhëna dhe 23 lloje, Jo në listën e IUCN-s.

Rajoni Patok-Fushëkuqe-Ishëm është i pasur me ligatina dhe bimësi karakteristike. Ligatinat, tokat e lagëta dhe sidomos grykëderdhja e Matit mbajnë një numër të konsiderueshëm shpendësh të ujit dhe janë të rëndësishëm për peshqit. Larmia e tipave të habitateve ujore, dhe klima e përshtatshme subtropikale kanë favorizuar rritjen e një bimësie të zhvilluar submerse, (Zostera and Ruppia), emergjente (kallamishte, zhavar etj.), pyjore, halofite dhe të dunave ranore (psamofite). Këtu takohet bimësi halofite (e tokave të kripura); është një nga lagunat më të rëndësishme të Mesdheut për shpendët limikole (Charadriformes); e vetmja lagunë ku takohet lloji globalisht i kërcënuar Numenius tennuirostris, duke përbërë kështu një IBA të një rëndësie të veçantë për vendin, vend ushqimi e strehimi për Breshkujcën detare (Chelonia mydas) etj. Ruhet ende një areal i vogël pylli të rrënjës (Quercus robur), dru gati në zhdukje në vendin tonë.

Bazuar në përditësimet e fundit (Nëntor 2019) në territorin e RNM/PN “Patok-FushëkuqeIshëm” janë evidencuar: 14 tipe habitatesh natyror (sipas Listës së Habitateve të NATURA 2000, prej të cilave 3 tipe habitatesh janë të listuara si prioritare), 5 lloje, floristike të rëndësishme, 1 lloj, endemike, 2 lloje, të Aneksit IV, të Direktivës së Habitatit dhe 2 lloje, të Konventës së Bernës.

Gjithashtu, janë evidencuar llojet faunistike të Listës së IUCN-s, ku: 2 lloje, Seriozisht të rrezikuar, 2 lloje, Të rrezikuar, 11 lloje, Thuajse të rrezikuar, 7 lloje, Vulnerabile, 80 lloje, Jo shqetësuar, 2 lloje, Nuk ka të dhëna dhe 21 lloje, Jo në listën e IUCN-s.

NA NDIQNI

Facebook: Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura
Instagram: @akzmalbania
Twitter: @akzmalbania

NA KONTAKTONI

E-mail: Info@akzm.gov.al
Adresa: Bulevardi “Dëshmoret e Kombit” Nr.1,1001,Tirane
Orari
E hënë – E enjte 08:00 – 16:30
E Premte 08:00 – 14:00

MINISTRIA E TURIZMIT DHE E MJEDISIT

ZBULO MË SHUMË PËR AKZM