Nisur nga fakti që në media të ndryshme është publikuar lajmi se z. Ardian Koçi, me detyrë drejtor i Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura Fier, është “pushuar nga puna për shkak se ka dhënë një intervistë”, AKZM informon se:
Vendimi i komisionit disiplinor të AKZM i datës 3 mars 2023 për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës nuk lidhet ekskluzivisht me një rast, por vjen si pasojë e një dukurie të përsëritur. Ky fakt pasqyrohet edhe në dokumentet e vendimmarrjes së komisionit disiplinor.
Megjithatë, AKZM thekson se ky vendim i komisionit, si dhe masa disiplinore, ndodhet në proces rishikimi që nga data 4 mars, pra pesë ditë përpara intervistës mediatike të dhënë nga z. Koçi.
Për procesin e rishikimit të vendimmarrjes së komisionit disiplinor, z. Koçi është njoftuar që në datën 4 mars dhe është ftuar të bashkëpunojë në kuadër të këtij procesi.
Duhet theksuar se kjo ftesë është refuzuar nga ana e z. Koçi gjatë komunikimit të drejtpërdrejtë mes tij dhe institucionit.
Më herët, për fillimin e procesit dhe për mbajtjen e seancës dëgjimore me qëllim shqyrtimin e disa shkeljeve disiplinore të tij nga komisioni disiplinor, z.Koçi ishte njoftuar në datën 22.02.2023.
Më pas, në datën 24.02.2023 komisioni zhvilloi seancën dëgjimore për shqyrtimin e materialeve disiplinore në ngarkim të z.Koçi dhe në datë 03.03.2023 vendosi të japë masën disiplinore “Largim nga detyra” për të.
Fakt është që, në vijim, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit i kërkoi komisionit disiplinor të AKZM-s të rishikojë vendimin dhe masën disiplinore.
Për sa më sipër, kjo çështje është ende në shqyrtim rishikimi përpara se të dilet me një vendim përfundimtar.
AKZM sqaron publikun se bazuar në Rregulloren e brendshme të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, në të gjitha rastet kur kërkohet prononcim publik a mediatik, punonjësit e AKZM-së dhe strukturat e varësisë duhet të njoftojnë drejtuesin e institucionit dhe të presin miratimin përkatës, me qëllim koordinimin institucional pikërisht për mirëinformimin e publikut.
Fokusi kryesor i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM) është ruajtja dhe zhvillimi i zonave të mbrojtura dhe i natyrës në Shqipëri. Në detyrat kryesore të AKZM-së përfshihet promovimi, informimi dhe edukimi i publikut për gjendjen dhe dobishmërinë e zonave të mbrojtura mjedisore. Për këtë, çdo dritare komunikimi vlerësohet maksimalisht si një mundësi për të shërbyer në misionin kryesor të AKZM.