×

Notice

Simple Image Gallery Pro Notice: Joomla's /cache folder is not writable. Please correct this folder's permissions, clear your site's cache and retry.
WedJul17

Prezantimi i projektit Smile Albania nga Kryeministri i Shqiperise

Në prag të sezonit të ri turistik për vitin 2018, Kryeministri Edi Rama lançoi projektit “Smile Albania”, në Amfiteatrin e Parkut të Liqenit Artificial.

Janë ftuar 1000 të rinj për të ndihmuar në organizmin e mikpritjes, duke ju dhënë informacionet e nevojshme tek turistët, itineraret e trashëgimisë kulturore, të bukurive të natyrës por edhe për të promovuar ndjeshmërinë në mbrojtjen e plazheve nga papastërtia{gallery}Aktiviteti i lancimit te Smile Albania{/gallery}


Përshëndetje të gjithëve!

Sot jemi këtu për një moment të rëndësishëm të përgatitjeve për sezonin e ri turistik. Një sezon që e kemi parë si një sfidë për të çuar në një tjetër shkallë të gjithë infrastrukturën, por edhe organizmin njerëzor të mikpritjes dhe ku kemi ndërtuar një grup dhe një rrjet institucionesh e individësh përgjegjës për të trajtuar në mënyrë të posaçme çdo aspekt të sezonit turistik, që nga siguria deri tek argëtimi, shërbimi parësor shëndetësor e me radhë itineraret e trashëgimisë kulturore, të bukurive të natyrës dhe domosdoshmëria për t’u ndarë nga turizmi i zhurmave të mëdha natën, kudo në të gjithë vijën bregdetare.

Një ndër elementët jo vetëm të rinj, por edhe të rëndësishëm të këtij sezoni është edhe organizimi i njëmijë vajzave dhe djemve, që do të punësohen pikërisht për të ndihmuar në këtë organizim njerëzor të mikpritjes e që do të vendosen në pikat hyrëse të vendit, në pika të ndryshme përgjatë të gjithë vijës bregdetare, në zonat e mbrojtura. Ata do të ushtrojnë për 2 muajt më intensivë të sezonit, korrikun dhe gushtin, një aktivitet të vazhdueshëm, jo vetëm për të çuar buzëqeshjen dhe bashkë me buzëqeshjen, edhe informacionet e nevojshme tek turistët, por edhe për të promovuar ndjeshmërinë në mbrojtjen e plazheve nga papastërtia.

Besoj se do të mësojmë shumë nga ky sezon, për ta përmirësuar më tutje të gjithë këtë organizim masiv në vitet që vijnë, por mund ta themi me plot gojën që do të jetë sezoni më i pastër, sezoni më i sigurt dhe sezoni me volumin më të madh të mundësive për argëtim dhe për aktivitete alternative, përveç plazhit dhe rërës.

Në tremujorin e parë kemi marrë të dhëna shumë të mira për rritjen e numrit të turistëve. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit të shkuar kemi një rritje prej 12%. Nëse vitin e shkuar arritëm të prekim tavanin e 5 milionë turistëve. Jemi të bindur se këtë vit, jo vetëm falë të dhënave që kemi marrë nga të gjitha agjencitë dhe operatorët turistikë, por edhe si rezultat i një pranie shumë më të madhe pozitive të Shqipërisë dhe të qyteteve të ndryshme të saj në faqet e reklamave dhe të promovimit të turizmit nëpër botë, me siguri do të marrim një rezultat ende më të mirë se ai i vitit të kaluar dhe me siguri, impakti i turizmit në ekonomi do të jetë ende më i fortë, sesa ai i vitit të kaluar.

Tirana u shpall nga një prej faqeve më të vizituara të promovimit të destinacioneve turistike në botë, “Lonely Planet”, një ndër 10 destinacionet më të mira për Europën në vitin 2018. Natyrisht kur thuhet “më të mira”, në këtë rast nuk thuhet që jemi ndër 10 qytetet më të mirë të Europës, por flitet për një destinacion, i cili është ndër 10 më të mirët, sepse ofron shumë surpriza për shumëkënd që është në kërkim të destinacioneve të reja.

Falë Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane kemi krijuar një hapësirë të re në të gjitha qytetet që janë të lidhura dhe me trashëgiminë kulturore, edhe me të tjera arsye për të shkuar për t’i vizituar, sepse projektet e Rilindjes Urbane kanë sjellë një energji dhe një dritë të re, pozitive, në këto destinacione. Po të shikojmë shifrat e Gjirokastrës, të Beratit, të Korçës, apo edhe të Vlorës, të Himarës, të Durrësit e me radhë, jo thjesht shikojmë rritje të numrit të vizitorëve, por edhe një rritje shumë të ndjeshme të mundësive për të qëndruar si rezultat i rritjes së kapaciteteve. Në Gjirokastër, vetëm përpara 3-4 vitesh ishin 3 apo 4 hotele, ose bujtina, le të themi, ku mund të qëndroje për të kaluar natën. Sot numërohen 67, që janë të regjistruara në faqen globale www.booking.com, prej ku mund të prenotosh në distancë dhomën. Berati, po ashtu e kështu me radhë të gjitha të tjerat.

Programi ka sjellë edhe një impuls të ri në ekonominë e turizmit, në ekonominë familjare të shumëkujt që deri dje nuk e kishte një mundësi ta imagjinonte se mund të investonte për turizmin, duke e vënë në dispozicion të turizmit dhe të turistëve shtëpinë e vet, apo mjedisin e vet, për shkak se fuqia tërheqëse e vetë qytetit ishte shumë e dobët. Sot nuk është më kështu. Natyrisht ka ende shumë për të bërë në çdo qytet, ka ende shumë për të bërë në çdo zonë, por sot nuk është më kështu. Rritja e kapaciteteve mikpritëse është e vazhdueshme dhe gjithmonë e më intensive në çdo zonë turistike të Shqipërisë.

Ne jemi angazhuar që atë çka bëmë me Rilindjen Urbane ta bëjmë dhe me Rilindjen Rurale. Kemi zgjedhur 100 fshatra, që nuk do të thotë që përpjekjet tona do të kufizohen vetëm në 100 fshatra, por kemi zgjedhur 100 fshatra ku për arsye të bukurisë natyrore, të trashëgimisë kulturore, të traditave të ndryshme ka një potencial të mjaftueshëm që ne të ndërtojmë modele të qëndrueshme zhvillimi rural me bazë turizmin. Kështu t’iu japim mundësi njerëzve që jetojnë në ato fshatra dhe që në të shumtën e herës për shkak të pozicionit gjeografik, për shkak të kufizimeve të natyrave të ndryshme nuk kanë mundësi të angazhohen në zhvillimin bujqësor intensiv, nuk kanë mundësi të krijojnë volume të atilla prodhimi që të mund të krijojnë mirëqenie përmes shitjes së prodhimit, që të vënë në dispozicion shtëpinë e tyre, fermën e tyre të vogël dhe natyrën e mrekullueshme përreth, bashkë me të gjithë atraksionet e tjera të trashëgimisë kulturore dhe të krijojnë të ardhura shumë më tepër saç mund të mendohet. Të ardhura që bëjnë që varfëria në zona kaq të bukura të mos jetë më një fatalitet, por të jetë një armik që mundet dhe që lihet pas në histori.

Më vjen shumë mirë që këtu janë edhe një pjesë e rëndësishme e grupit të miqve tanë, përfaqësueseve të vendeve që kanë selitë e tyre diplomatike dhe përfitoj nga rasti t’ju them se me ambasadorin austriak dhe me ambasadorin zviceran, falë punës së përbashkët me agjencitë e bashkëpunimit të këtyre vendeve, kemi hyrë në një proces ku po bashkojmë përpjekjet për të nxitur zhvillimin e Programit të “100 fshatrave”. Ideja jonë është që të ftojmë edhe të tjerët dhe duke kanalizuar fondet e mbështetjes së të gjitha vendeve në një Program si ky, për aq sa mund të dedikohet nga portofoli i çdo vendi në kuadrin e mbështetjeve të bashkëpunimit, të krijojmë mundësinë që fshatrat të adaptohen dhe kështu bashkojmë edhe rezervat tona financiare si qeveri, për të bërë të mundur që sa më shpejt të kemi modele të prekshme suksesi, që janë në të njëjtën kohë një shembull për të tjerët, për fshatin pranë dhe për fshatin tjetër përtej tij.

Krijimi i të gjithë këtij zinxhiri komponentësh rreth sezonit turistik do të bëjë që për shumë vizitorë të huaj, Shqipëria të mos jetë vetëm një vend i mrekullueshëm me diell, me det të bukur dhe me njerëz mikpritës që lënë mbresë pozitive në përgjithësi, por të jetë dhe një vend zbulimesh nga historia, nga arti, nga kultura, nga traditat e ushqimit dhe të gatimit.

Në fund fare, gjithkush prej nesh duhet ta kujtojë se i gjithë ky aktivitet, me kaq shumë elementë dhe kaq kompleks, që zhvillohet gjatë sezonit të verës për momentin, sepse ne duam ta shtrijmë më tutje, edhe gjatë sezoneve të tjera dhe që ka një impakt kaq të rëndësishëm ekonomik dhe social, prej të cilit mundësitë për të krijuar vende të reja pune janë të jashtëzakonshme, duhet të nisë nga “A”-ja, që është pastërtia.

Ministri Klosi e tha dhe është e vërtetë, në këto 6 muaj është bërë një punë titanike, përmes një operacioni pastrimi që ka përfshirë mijëra pika ku ishin grumbulluar prej vitesh mbeturina. Por, nga ana tjetër, edhe është konstatuar një prapambetje titanikë në raport me vetëdijen se ne jemi ndotësit e parë dhe kryesorë të këtij vendi, pasi në shumë raste është dashur që të rikthehemi dy,  tre e katër herë për të pastruar të njëjtin vend, si pasojë e papërgjegjshmërisë dhe mungesës së plotë të ndjeshmërisë së njerëzve në raport me mjedisin.

Flasim shumë ne për flamurin e për atdheun, për Shqipërinë e për ardhmërinë, shpërthejmë në ndjenjat tona atdhetare, qoftë kur shohim Kombëtaren e futbollit, qoftë kur është fjala për të thënë fjalë jo fort pozitive për një fqinj këtu, apo një fqinj atje, sa herë që krijohet një situatë ku për 1001 arsye mund të ndihemi të provokuar, por ne harrojmë që gjesti i parë antipatriotik i një individi është kur merr atë që ka në dorë si mbetje nga konsumi dhe e hedh në tokë. Ne harrojmë që hapi i parë, çdo ditë, i gjithkujt që është një patriot i mirë është që të jetë edhe mbrojtësi i mjedisit të përbashkët nga pisllëku që ai vetë krijon.

Shumë faleminderit për këtë aktivitet!

Besoj që shumë shpejt do të ndihet kudo, pak nga pak, gjithçka që ne kemi organizuar. Nuk diskutohet që si një herë e parë do të ketë risitë e veta, do të ketë edhe mangësitë e veta. Por jam i bindur që për të gjithë ata që e kanë vizituar Shqipërinë më parë, ky do të jetë sezoni më i bukur turistik. Ashtu sikundër jam i bindur që për ata që do ta vizitojnë Shqipërinë për herë të parë, ky do të jetë një sezon surprizë në të gjitha aspektet, sepse do të gjejnë jo vetëm një vend të bukur, jo vetëm njerëz të predispozuar për të qenë mikpritës, siç jemi ne në tërësi, sidomos kur është fjala për të mirëpritur të huajt, por edhe një vend ku në të gjithë periudhën e sezonit ndihet që ka shtet, që ka organizim, që ka siguri dhe që ka gatishmëri për t’iu shërbyer të gjithë atyre që na bëjnë nderin e madh, që vizitojnë shtëpinë tonë të përbashkët.

Faleminderit!


 

Artikujt e fundit

Klosi: “Smile Albania” do ta shndërrojë vendin në destinacion europian të turizmit

  1000 të rinj punësim në turizëm   Klosi: Keni për detyrë të sillni buzëqeshjen, atë buzëqeshje, që shekujt nuk ja hoqën dot s...

Festa ne Pjate/Ditet e Kulinarise/Vere 2018

Programin e "Festa ne Pjate", Feastivalet e Kulinarise, Vere 2018 mund t'i ndiqni ne linkun me poshte https://drive.google.com/file/d/1xe6G...

Informacion mbi 11 Muzete Kombetare te vendit

Institucionet e vizitueshme te trashegimise kulturore MUZEU KOMBËTAR I ARTIT MESJETAR KORÇË   Fondi i tij ka mbi 7 mijë objekte kul...

Trashegimia historike, kulturore dhe natyrore e vendit

POTENCIALI TURISTIK I VENDIT RRETHI  I SHKODRES DHE MALESISE SE MADHE   Trashegimia Historike e Kulturore Kalaja e Rozafes d...

vendodhja e info point

Tabela permbledhese   Nr Lloji i aktivitetit Emertesa e vendit 1 Info point në pikat kufitare ...

Drejtori i AKZM shpjegon detajet e projektit "Smile Albania"

Ne kuader te projektit te lncua nga Kryeministri i Shqiperise Z. Edi Rama, Drejtori i Pergjithshemm i AKZM, Z. Zamir Dedej ka folur per qell...

Rreth Smile Albania

PROJEKTI SMILE ALBAINA Smile Albania është një projekt që do të shoqërojë të gjithë sezonin turistik, është një projekt të cilin Minist...

Festa e verës, Prespë

Në Prespë festohet  "Festa e Verës", dedikuar nje prodhimi tradicional te kësaj Zone të Mbrojtur. Pjesëmarrës: stafi i AKZM-së drejtu...

Go to top
Template by JoomlaShine