Lajmet e fundit

Dita Botërore e Jetës së Egër, Inventarizimi i Faunës së Egër

Mbi Ditën Botërore të Jetës së Egër

AKZM me mbështetjen e NaturAL dhe GIZ realizohen për herë të parë inventarizimin e 40 specieve të rrezikuara

3 Marsi është Dita Botërore e Jetës së Egër, ditë kur festohet larmishmëria e formave të jetës së egër të faunës dhe florës si dhe për t’u vetëdijësuar për të mirat e shumta që ne, njerëzit marrim nga ruajtja dhe mbrojta e tyre. Jeta e egër ka vlera thelbësore dhe jep kontributin e saj në aspektin ekologjik, gjenetik, social, ekonomik, shkencor, mësimor, kulturor dhe estetik të zhvillimit të qëndrueshëm dhe mirëqenies njerëzore.

Më 20 dhjetor 2013, në seancën e 68-të, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (UNGA) shpalli datën e 3 marsit, pikërisht ditën e nënshkrimit të Konventës mbi Tregtinë Ndërkombëtare të Specieve të Rrezikuara të Faunës dhe Florës së Egër (CITES), si Ditën Botërore të Jetës së Egër, si ditë kur do të festohet për të rritur ndërgjegjësimin për kafshët dhe bimët e egra të botës. Dita botërore e kafshëve të egra do të festohet në vitin 2018 nën temën "Macet e mëdha, grabitqarët nën kërcënim", në vendin tonë tema mund të përshtatet "kafshët e mëdha karizmatike nën kërcënim", të cilat janë rrëqebulli, ariu, ujku, dhia e egër, kaprolli dhe pelikani.

Me vendosjen e moratoriumit të gjuetisë së paligjshme dhe moratoriumit të prerjes së pyjeve kjo ditë mund të festohet edhe në Shqipëri. Kjo ditë na kujton nevojën për të vazhduar ndërgjegjësimin dhe angazhimin kundër krimit mjedisor, i cili ka impakte të mëdha në ekonomi, mjedis dhe shoqëri.

Ruajtja dhe menaxhimi i jetës së egër në një mënyrë të qëndrueshme nuk është më një opsion për gjeneratën tonë por është kthyer në një detyrim dhe në një nevojë për t’i lënë brezave të ardhshëm një jetesë më të mirë.

Sistemi i Monitorimit të Faunës së Egër

Inventarizimi dhe monitorimi i Faunës së Egër është detyrim i ligjshëm shqiptarë dhe njëherësh proces konform Konventave dhe Protokolleve Ndërkombëtare të ratifikuara nga vendi ynë. Për këtë qëllim prej dy vitesh Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM), nëpërmjet 12 Administratave Rajonale të Zonmave të Mbrojtura (AdZM) të saj ka nisur punën për inventarizimin dhe monitorimin e faunës së egër. Ky proces ka nisur udhën me miratimin e udhëzimit të Ministrisë së Mjedisit dt. 11.2.2016 për miratimin e metodikave të rregjistrimit të faunës së egër. Pas kësaj janë kryer trajnime të herë pas hershme të Rangersave të 12 AdZM-ve për mënyrën e mbledhjes së të dhënve, monitorimit, inventarizmit, përdorimit të GPS, etj. Ndërkohë është krijuar dhe Sistemi i Monitorimit të Faunës së Egër, i cili është elektronik. Në realizimin e gjithë këtij proçesi AKZM mbështetet nga projekti i financuar nga BE-ja, NaturAL.

Rangersat dalin në terren dhe mbledhin të dhëna për faunën e egër mëpërmjet vrojtimeve direkte, shënimit të gjurmëve dhe kamerave kurth, informacioneve për dëmtime të kafshëve shtëpiake, jashtëqitjeve të kafshëve të egra, etj. Sistemi i monitorimit përmban 4 formularë që duhen plotësuar nga Ranger-sat 1) Monitorimi i faunës së egër; 2) Kafshët dhe shpendët e egër të vrarë (të vrarë aksidentalisht, të shtypur nga automjetet dhe të asgjesuar nga njëri tjetrit); 3) Konfliktet e faunës së egër (dëmi që ato kryejnë në bujqësi dhe blektori); 4) Aktivitete të paligjshme (gjuetia e paligjshme). Të gjitha këto të dhëna hidhen nga AdZM-të në një table të strukturuar. Çdo e dhënë rregjistrohet me koordinatat e sakta të gjeoreferencuara (GPS). Të gjitha këto të dhëna hartëzohen dhe hidhen një database, e kthehen në pika në hartë që kur klikohen jepen të gjithë elementet mbi specien dhe vezhgimin e bërë si emri i species, AdZM-ja që i përket, emri i Ranger-sit që ka hedhur të dhënën, data, ora e regjistrimit, mënyra e identifikimit, numri i individëve, emri i Zonës së Mbrojtur, emri lokal i zonës, kordinatat, etj.

Në Shqipëri janë prezent mbi 80 lloje gjitarësh dhe mbi 320 lloje shpendësh

Objekt i këtij inventarizimi fillimisht u caktuan 30 specie, të cilat janë parë si objekte gjuetie dhe disa të tjera si të kërcenuara apo të rëndësishme të mbrojtura nga Konventat ndërkombëtare, ratifikuar nga ne. Më poshtë janë rezultatet e parë të inventarizimit për vitin 2017 të 30 specieve të përcaktuara, e cila po vazhdon në vitin 2018 dhe do të jetë publike në faqen e AKZM-së:

1. Ariu i Murmë                      157 individë

2. Mace e Egër                         19 individë

3. Rrëqebulli                              1 individë (fotografuar nga kamera kurth nga shoqata PPNEA në Nikaj Mertur, Tropoje me 10.11.2017

4. Lundërza                                15 individë

5. Dhia e egër                          160 individë

6. Kaprolli                               102 individë

7. Baldosa                                  44 individë

8. Ujku                                    195 individë

9. Çakalli                                    66 individë

10. Derri i egër                        281 individë

11. Lepuri i egër                     389 individë

12. Dhelpra                             387 individë

13. Zardafi/Kunadhja gushëverdhë  35 individë

14. Shqarthi/Kunadhja gushëbardhë 71 individë

15.Kryekuqe e madhe             773 individë

16. Kryekuqe qafëgjëlber       727 individë

17. Grilla                              3.102 individë

18. Rosa Bishtëgjelë               124 individë

19. Rosa e përhime                 178 individë

20. Sqepluga                           280 individë

21. Marsatorja                              4 individë

22. Shapka e Ujit                    253 individë

23. Bajza                            47.150 individë

24. Thëllënxa e Malit              258 individë

25. Pëllumb i Egër                  138 individë

26. Shapka                              412 individë

27. Turtulli                                   7 individë

28. Shkurta                                 83 individë

29. Lauresha                              30 individë

30. Pelikani kaçurel                249 individë

Gjatë inventarizmit u vunë re edhe 27 specie të tjera, prej të cilave janë përzgjedhur edhe specie për t’u inventarizuar gjatë këtij viti në habitatet e Prespës, Pogradecit dhe Liqenit të Shkodrës (ky proces realizohet me mbështetjen e GIZ) por edhe në lagunat bregdetare, ku mund të përmendim:

1. Shqiponjën 

2. Kryekuqja e Vogël

3. Mjelma

4. Karabullaku i Madh

5. Karabullaku i vogël

6. Pelikani Rozë

7. Çafka e Bardhë/Përhime

8. Flamengo

9. Pulëbardha

10. Dallëndyshja e detit

Idea për ngritjen e Qendrës së Arinjve në Parkun Kombëtar të Dajt

Megjithatë nga rezultatet e inventarizimit të vitit të kaluar për faunën e egër, ndër specie më të kërcënuara mund të veçojmë ariun e murmë. Vitin e kaluar u liruan nga kurthet e ngritura dy arinj, një në Polis të Elbasanit dhe një tjetër në Zdrajsh të Librazhdit.

Problem mbetet mbajtja e arinjve në kafaze (kaptivitet) si atraksione në restorante ose për të bërë foto në rrugë. Në total janë shpëtuar rreth 26 arinj të moshave të ndryshme nga rreth 50 të evidentuar, dhe 21 janë transportuar në qëndra shpëtimi të vendeve të tjera fqinjë si Itali, Kosovë, Gjermani, etj. Gjatë 2017 me ndihmën e fondacionit “Four Paws” (4 Putrat), “Animal Rescue Albania” (Shpetimi i Kafshëve Shqiptare) si edhe shoqata animalista italiane “Salvataggio degli Orsi della Luna”, në bashkëpunim me koalicioni e shoqatave “Të shpëtojmë arinjtë shqiptarë” (Save Albanian Bears), janë shpëtuar 8 arinj, 5 prej të cilëve janë transferuar jashtë dhe 3 presin në Kopshtin Zooloigjik të Tiranës. “Four Paws” dhe janë pjesë e fushatës së promovuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit me mbështetjen e vetë fondacionit si edhe Projektit NaturAL me koordinimit të Agjencisë Italiane të Bashkepunimit dhe Zhvillimit (AICS). Po vazhdon puna për ngritjen e një qëndre për shpëtimin e arinjve në vendin tonë.

Prandaj, këtë vit mesazhi është i qartë: të mos heshtim ndaj bzineseve që mbajnë në mënyrë të paligjshme kafshët e egra në robëri, si dhe të mbështesim një fushatë për ngritjen e fondeve për të shpëtuar ato kafshë që janë privuar nga liria e tyre. Ka ardhur koha që dhe Shqipëria të ketë Qendrën e vet të reabilimit të arinjve dhe është menduar që kjo qendër, duke qenë se duhet një sipërfaqe e madhe të jetë në Parkun Kombëtar të Dajtit.

Regjistrohu me E-mail

Adresa/Kontakte

Rruga: Norbert Jokl KP:1000, Tiranë, Albania

Tel: +35542258120 / +35542225068

Email:
info@akzm.gov.al
denonco@akzm.gov.al

Rrjetat Sociale/Mobile App

googleplay