Lajmet e fundit

Inagurohet Qendra e Informacionit, Radhimë

Në kuadër të Ditës Botërore të Turizmit dhe Vitit Ndërkombëtar të Zhvillimit të Turizmit të Qëndrueshëm 2017, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi inaguroi Qendrën e Informacionit, Radhimë, e cila do t’i shërbejë turistëve që duan të vizitojnë Parkun Kombëtar Detar Karaburun Sazan.

Në ceremoni ishin të pranishëm dhe Z. Nino Merola, Drejtor i Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, Z. Brian J. Williams, Koordinator i Përhershëm i OKB dhe Përfaqësues i Përhershëm i UNDP, Drejtori i Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura , Zamir Dedej,përfaqësues i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, përfaqësues të sektorit të turizmit të Rajonit të Vlorës, të Projektit NaturAL, PNUD-it, AdZM, Vlorë, AKZM. Më pas të pranishmit vizituan dhe Qendrën e Vizitorëve Llogara.

“Po inagurojmë një qendër të re informacioni, e ndërtuar së bashku me parterët e gjithkohshëm në mbështetje të zhvillimit mjedisor në vendin tonë UNDP dhe Coperacione Italiane dhe mendoj që ka një ngjarje shumë të bukur përsa i përket bashkërendimit, tashmë, të përpjekjeve tona për të ruajtur Mjedisin, por dhe këtë mjedis të ruajtur ta vëmë në shftytëzim të një turizmi më të zhvilluar.

Jemi sot, jo më kot në një ditë jashtë sezonit turistik, për t’i dhënë kuptim zgjatjes dhe jetëgjatësisë më të madhe të zhvillimit të turizmit në vendin tonë. Vlora dhe shumë objekte të tjera, shumë zona të tjera, të cilat kanë potenciale të vërteta turistike, është e pa tolerueshme dhe e pa falshme dhe aspak logjike që shfrytëzohen vetëm brenda sezonit turistik.

Në aktivitete të tilla si ky që po inagurojmë sot përpiqemi ta zgjerojmë shumë më tepër arsyen, pse jo vetëm turistët e huaj që vijnë me shumicë tashmë në Vlorë por dhe turizmi shqiptartë ketë arsye për të ardhur në Vlorë, për të shëtitur në këtë park kombetar kaq të bukur dhe për të marrë të gjithë kënaqësitë edhe nga kjo mënyrë e re e menaxhimit të turizmit gjithëvjetor.

Në përpjekjet e Ministrisë së Turizmit dhe e Mjedisit mbrojtja e natyrës do të vazhdoj të jetë një prioritet kryesor. Po, po ashtu aksioni ynë i madh për pastrimin e Shqipërisë, edhe nga kjo pikë merr një frymëmarrje tjetër.

Është shumë bukur sipërfaqja këtu brenda, është shumë mirë e investuar i gjithë sistemi i informacionit, por fatkeqësisht pranë kësaj pike përsëri ka zona që nuk janë të denja për një Park Kombëtar Detar, në fund të fundit nuk janë të denja për një Shqipëri të pastër që ne duam të gjithë së bashku. Prandaj përpjekja jonë deri në fillimin e sezonit të ri turistik , pra deri në fillim të muajit maj të vitit të ardhshëm do të jetë e fokusuar tek pastërtia, tek ngritja e qendrave të tilla informacioni për ata që duan të shfrytëzojnë sezonin turistik, por edhe bashkërendimi ashtu sic jemi këtu në sallë i  punonjësve të industrisë së mjedisit dhe turizmit së bashku me bizneset lokale, së bashku me partnerët tanë lokalë, biznesmenë te kësaj fushe dhe natyrisht së bashku me partnerët tanë ndërkombëtar  dhe me organet e tjera si universiteti i Vlorës dhe shkollat e Vlorës për të pasur një aksion kombëtar për paërgatitjen e një viti shumë të sukseshshëm turistik, vitin 2018. Do të vazhdojmë të jemi së bashku me partnerët tanë në këtë përpjekje të madhe për ta kthyer turizmin shqiptar në një industri të vërtet zhvillimi jo vetëm për këtë zonë të mrekullueshme që mbulon Parku Kombëtar Detar Karaburun Sazan, por për të shkuar më shumë se kaq në një sipërfaqe shumë herë më të madhe të mrekullueshme të këtij territory”, tha në fjalën e vet Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi.

Qendrat e vizitorëve në Parqet Kombëtare do të shoqërohen me informacion të bollshëm, të plotë dhe atraktiv, të cilat do të përcillen në një mënyrë innovative për vizitorët në Shqipëri, duke pasur në fokus vendosjen në pah të autenticitetit të natyrës sonëe, e cila përbën një ndër asetet kryesore të turizmit shqiptar.

Nga ana tjetër këto qendra do të jenë një mjet i nevojshëm për Administratorët e Parqeve për të orientuar dhe kontrolluar fluksin turistik, krijuar bazë të saktë të dhënash për vizitorët dhe aplikimit të tarifave për hyrjet dhe shërbimet që ofron parku. Në këtë kuptim qendrat janë një hap i rëndësishëm drejt një menaxhimi më efektiv dhe të qëndrueshëm të ZM-ve në Shqipëri, duke u orientuar drejt synimit për vetëfinancimin e tyre. Si dhe një mënyrë e mirë për të orientuar vizitorët drejt aktiviteteve që nuk dëmtojnë ose rrezikojnë vlerat e zonës.

Qendra e Vizitorëve të Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan në Radhimë është lokalizuar në një pikë strategjike për promovimin e parkut të parë dhe të vetëm detar në Shqipëri, duke qenë lehtësisht e aksesueshme nga vizitorët, pasi ndodhet shumë afër zonës ku nisen anijet e “medha” turistike që ofrojnë ture në Karaburun- Sazan dhe mjetet e vogla të lundrimit.

Ekrani interaktive (touch screen) do të shërbejë si një mjet I shkëlqyer interaktiv që do të krijojë mundësinë e përcjelljes së informacionit në sa më shumë gjuhë të huaja. Ekrani lejon përshtatjen dhe shtimin e informacionit me një kosto jo të lartë.

Zonat e mbrojtura prej dy vitesh janë tashmë në qendër të vëmendjes së opinionit publiku, komuniteteve, medias dhe turistëve vendas e të huaj.

Brenda dy vitesh është investuar dhe po investohet fuqishëm në 11 qendra Vizitorësh, 4 prej të cilave janë në përfundim e sipër si në Parkun Kombëtar Dajt, Llogara, Divjakë-Karavasta, Theth, si dhe po rikonstruktohen 2 zyra AdZM-ve në Qafë Shtamë, Valbonë që do të shërbejnë dhe si qendra vitorësh. Të gjitha këto janë një investim i buxhetit të shtetit prej 110 milionë lekë të reja. Ndërsa pajisja e tyre është marrë përsipër projekti NaturAL me një fond prej 170 mijë euro.

Ndërsa ndërtimi i Qendrës së Informacionit në Rradhimë dhe trajnimi i personelit, ka kushuar rreth 50 mijë dollarë dhe është bashkëpunim mes UNDP-së, WWF, INCA. Kjo qendër i shërben Parkut Kombëtar detar Karaburun Sazan zonë ku PNUD-i zhvillon një projekt prej 2 milion dollarësh.

Këtë vit gati është katër fishuar numri i vizitorëve në Zonat e Mbrojtura. Dy vite më parë në Zonat e Mbrojtura u shënuan 400 mijë vizitorë ndërsa këtë vit 1 milion e 500 mijë vetë. më i frekuentuari është Parku Kombëtar i Tomorit me 160 mijë vetë, më pas vjen Butrinti, Thethi, Llogara dhe Divjakë-Karavasta. 

Regjistrohu me E-mail

Adresa/Kontakte

Rruga: Norbert Jokl KP:1000, Tiranë, Albania

Tel: +35542258120 / +35542225068

Email:
info@akzm.gov.al
denonco@akzm.gov.al

Rrjetat Sociale/Mobile App

googleplay