Së bashku punojmë për natyrën
SE BASHKU PUNOJME PER NATYREN
Në mbyllje të vitit, partnerët që punojnë për përmirësimin e menaxhimit të zonave të mbrojtura në Shqipëri u mblodhën së bashku për të diskutuar aktivitetet përgjatë 2 viteve të fundit. Që prej krijimit të saj në 2014, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) është mbështetur nga projekti i financuar nga BE, NaturAL dhe “Mbështetje institucionale për menaxhimin e zonave të mbrojtura” i financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë.
I organizuar më 20 dhjetor aktiviteti “Së bashku punojmë për natyrën 2016 – Drejt përmirësimit të menaxhimit të zonave të mbrojtura në Shqipëri” ishte një mundësi shumë e mirë për të vlerësuar bashkëpunimin dhe kontributin e partnerëve. Takimi i shërbeu vlerësimit të aktiviteteve dhe strategjive që do të ndiqen për të kapërcyer pengesat e identifikuara për të përmirësuar menaxhimin e zonave të mbrojtura.
Pjesëmarrës në aktivitet ishin 150 persona, punonjës të AKZM-së dhe zyrave rajonale të saj dhe persona të përkushtuar që kanë kontribuar gradualisht në përmirësimin e menaxhimit të zonave të mbrojtura. Përfaqësues të çdo Agjencie Rajonale të Zonave të Mbrojtura (AdZM) prezantuan arritjet në përmirësimin e menaxhimit të zonave të mbrojtura gjatë 2016, duke vënë theksin në mbështetjen dhe kontributin e projekteve. Ata prezantuan edhe synimet kryesore për vitin e ardhshëm.
Takimi i shërbeu qëllimit për të forcuar bashkëpunimin dhe frymën e bashkëpunimit mes stafeve të AKZM/AdZM. Aktiviteti erdhi në momentin e duhur për të përmbushur këtë qëllim falë edhe mbështetjes së projekteve dhe përpjekjeve të drejtuesve të Agjencive dhe stafit qëndror dhe vendor. Ishte me shumë vlerë dhe përfitim, shkëmbimi i pikëpamjeve dhe koha e shpenzuar në një mjedis informal me komente miqësore, pozitive dhe negative, por që i shërbejnë procesit mes të gjithë personave të angazhuar në përmirësimin e menaxhimit të zonave të mbrojtura në Shqipëri.
Aktiviteti u mbështet nga kontributi i dy projekteve NaturAL “Forcimi i Kapaciteteve Kombëtare për Ruajtjen e Natyrës – Përgatitja për Rrjetin Natura 2000”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancuar dhe zbatuar Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim në bashkëpunim me Unionin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) dhe Shoqërinë Botanike Italiane (SBI) dhe “Mbështetje institucionale për menaxhimin e zonave të mbrojtura” i financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë dhe zbatuar nga IUCN.
“Synimi ynë është mbështetja ndaj Shqipërisë në mbrojtjen dhe ruajtjen e biodiversitetit, duke prezantuar një qasje shkencore në menaxhimin e zonave të mbrojtura. Këtë e kemi realizuar duke punuar ngushtësisht me Ministrinë e Mjedisit dhe stafin e AKZM të cilët i kemi përfshirë në çdo aspekt të projektit, duke besuar se kjo është mënyra më e mirë jo vetëm për të transferuar njohuritë por edhe për t’i motivuar ata më tej” – tha Andrea Ghiurghi, menaxher projekti, IUCN. “Ky aktivitet është në linjën e qasjes tonë – nxit një ndjenjë pronësie të zonave të mbrojtura për të cilat është përgjegjëse AKZM” përfundoi ai.