Lajmet e fundit

4 ministra të qeverisë shqiptarë bashkë për zhvillim të qëndrueshëm të zonave të mbrojtura

Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura zhvilluan sot Forumin Koordinues “Rrjeti i Zonave të Mbrojtura: Modeli i ardhshëm i zhvillimit të qëndrueshëm – hapat e mëtejshëm për një menaxhim më të mirë”.

Ky forum mblodhi në një panel 4 Ministra të  Qeverisë Shqiptarë, z. Edmond Panariti, Ministër i Bujqësisë, Zj. Eglantina Gjermeni, Ministër i Zhvillimit Urban dhe Zj. Milva Ekonomi, Ministër i Ekonomisë, si dhe përfaqësuesit më të lartë të organizatave partnere e donatore UNDP, Delegacioni Evropian, GIZ etj

Në fjalën e tij Ministri Koka u ndal në  3 vite mjedis në përgjithësi dhe theksoi se  zonat e mbrojtura në veçanti janë kthyer në qendër të vëmendjes së opinionit publik dhe komunitetit që jeton pranë tyre, falë politikës mjedisore të ndjekur nga qeveria shqiptare.

Deri më sot sipërfaqja e zonave të mbrojtura është mbi 16 % ndërsa deri në vitin 2020 synohet të arrihet mesatarja e standardit europian, prej 17 % .

Duke iu referuar projektligjit të ri të zonave të mbrojtura që së shpejti shkon në parlament, Ministri Koka nënvizoi: - “Nga konsultimet dhe dëgjesat me qytetarët, ekspertët, partnerët ndërkombëtarë dhe donatërt ka një rëndësi të veçantë propozimi që është bërë në këtë ligj të ri, që çdo e ardhur që gjenerohet nga aktivitetet që ushtrohen në këto zona të mbrojtura të menaxhohen direkt nga AKZM.  Kjo pavarësi dhe ndryshim i propozuar për menaxhimin financiar të të ardhurave në rast se do të miratohej do të conte zonat e mbrojtura në një të ardhme të afërt drejt një standardi evropian menaxhimi”

Ministri Koka theksoi gjithashtu se viti që po mbyllet ka shënuar një progres të dukshëm në zhvillimin e zonave të mbrojtura, ku qeveria shqiptare ka investuar 1 milionë dollarë në ngritjen e 10 qendrave të informacionit në zonat e mbrojtura. “Kemi një rritje të konsiderueshme të turistëve në zonat e mbrojtura dhe shifra impresionuese, 3.3 herë më shumë në 2016 krahasuar me 2015. Më duhet të shpreh kënaqësinë time që këtë vit kemi parë të kemi prezent si turiztë, në këto zona edhe qytetarët shqiptarë që fatkeqësisht pak i kanë njohur deri dje mrekullitë e vendit”: - tha ai.

Një ndër arritjet që shënohet gjatë këtij viti në fushën e zonave të mbrojtura është edhe realizimi për herë të parë më standarde i inventarizimit të florës dhe faunës së egër në Shqipëri ku Ministri Koka tha se brenda 2017 do të prezantohet për herë të parë me një standard dhe metodikë të njëjtë si vendet e zhvilluara , statistika e saktë e faunës së egër në vendin tonë

Investimet në zonat e mbrojtura janë kryer edhe nga donatorë të huaj  në vendin tonë, ku gjatë 2016 janë investuar rreth 6 milionë euro ndërsa vitin e ardhshëm do të vijojnë investime dhe deri më tani janë parashikuar rreth 3 milionë euro

Gjatë forumit u prezantuan disa nga investimet e fundit, brenda zonave të mbrojtura, për ngritjen e standardeve dhe zhvillimin e infrastrukturës të përshtatshme brenda rrjetit të këtyre zonave,  nismat dhe planet për përmirësimin e infrastrukturës e duhur për një zhvillim të qëndrueshëm në të ardhmen brenda zonave të mbrojtura.  U theksuan gjithashtu sfidat e së ardhmes brenda zonave të mbrojtura me qëllim trajtimin e  rrjetit të zonave të mbrojtura si një model i ardhshëm i zhvillimit të qëndrueshëm.

Drejtori i Përgjithshëm i AKZM z. Zamir Dedej në prezantimin e tij theksoi se: - “Objektivi ynë madhor është të kalojmë nga kontrolli, që deri dje ishte prioritar drejt menaxhimit, për të zhvilluar dhe nxitur kështu zonat e mbrojtura”

Në sajë të investimeve të buxhetit të shtetit dhe organizmave të huaja po realizon për herë të parë inventarizimin e florës dhe faunës së egër në Shqipëri.

Do të vendosen mbi 200 kamera kurth, të cilat do të ndihmojnë për monitorimin e faunës së egër brenda Zonave të Mbrojtura. Ndërkohë është ngritur për herë të parë sistemi elektronik BIONNA, data-bazë ku AKZM dhe 12 AdZM-të dhe ekspertë të fushës hedhin të dhënat kombëtare të biodiversitetit, të cilat janë tashmë të aksesueshme përmes faqes së internetit “Rrjeti Kombëtar i Biodiversitetit të Shqipërisë” (BioNNA). Me mbarimin e këtij viti do të jetë gati edhe programi për monitorimin e faunës së egër në shkallë vendi dhe deri në fund të vitit të ardhshëm programi i monitorimit do të jetë i implementuar me të gjithë elementët.

Të dhënat e vitit që po mbyllet regjistrojnë trefishim të numrit të turistëve në Zonat e Mbrojtura, nga 400 mijë vizitorë në 2015, në mbi 1 milionë në 2016.

Ndërkohë, brenda dy vitesh është investuar dhe po investohet fuqishëm në bërjen funksionale të mbi 10 qendrave informacioni/vizitorësh.

Për vitin 2017 objektivi kryesore është krijimi dhe përmirësimi i infrastrukturës në harmoni  me rritjen dhe kërkesat e turistëve në Zonat e Mbrojtura.

Kjo do të shoqërohet me rritjen e pranisë dhe asistencës së stafit në terren duke prezantuar dhe drejtuar turistët në zonat e mbrojtura.

Të gjitha së bashku kërkojnë t’i japin jetë zonave të mbrojtura dhe më shumë frymëmarrje zhvillimit të tyre në kuadër edhe të mbrojtjes së natyrës.

Regjistrohu me E-mail

Adresa/Kontakte

Rruga: Norbert Jokl KP:1000, Tiranë, Albania

Tel: +35542258120 / +35542225068

Email:
info@akzm.gov.al
denonco@akzm.gov.al

Rrjetat Sociale/Mobile App

googleplay