Shpella e Zezë

Shpella e Zezë, sensasioni i speleologjisë shqiptare, ose shpella e Pëllumbasit, është karstike. Ndodhet 25 km në juglindje të Tiranës. në Parkun Kombëtar të Dajtit, në grykëm e Skoranës, që përshkohet nga Erzeni. Eksplorimet e kryera në bashkëpunim me grupin speleologjik të Faences (Itali), evidentuan vlera të shumta shkencore dhe turistike me rëndësi ndërkombëtare:

 

Skelete të arinjve të shpellave (Ursus speleaus), që kanë jetuar nga 10.000 deri në 400.000 vjet më parë. Në gjithë Evropën janë vetëm pesë shpella të tilla, të cilat, pas studimeve të hollësishme, u kthyen në muze, ndërsa zonat përreth tyre në parqe kombëtare;

Ndryshe nga simotrat evropiane, Shpella e Zezë ka edhe mbetje të kulturës humane, të cilat, sipas konfir mimit të Institutit të Arkeologjisë të ASh, u përkasin periudhës nga Paleoliti në Mesjetën e Hershme;

– Me përmasat e saj (rreth 360 m e gjatë, 10 - 15 m e gjerë dhe 15 - 45 m e lartë), që nuk janë përfundimtare dhe me mjediset e mbushura me stalaktite dhe stalagmite, përbën një objekt me vlera për të studiuar evolucionin e paleogjeografinë e gjithë zonës si dhe qarkullimin e ujërave nënëtokësore të saj;

– Shpella është e mbushur me mikroforma të shumta të relievit nëntokësor karstik me bukuri te rrallë dhe vlera te veçanta turistike;

Me vlerat e shumta shpella ka tërhequr vemendjen e studiuesve të tokës dhe të prehistorisë, rezultatet e kërkimeve të të cilëve u bënë objekt diskutimi në Konferencën e Parë Ndërkombëtare Speleologjike, te mbajtur në Tiranë (1998). Të gjithë pjesëmarsit, vendas dhe të huaj, evidentuan vlerat e veçanta të Shpelles së Zezë.

Për t’i vënë këto vlera në shërbim të studiuesve, të gjithë dashamirësve të natyrës dhe të turizmit është përgatitur një projekt, që synon: studimin e plotë dhe të detajuar të vlerave të saj dhe kthimin e shpelles në një muze gjeologo-gjeografik, paleontologjik e arkeologjik.

Ne kemi bindjen se ky muze do te jetë ndër objektet më të vizitueshme, ndërsa gjithë zonës në juglindje të Tiranës do t’i krijojë mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit.

Për të shkuar tek Shpella e Zezë ndiqet rruga Tiranë – Elbasan deri në Ibë. Më pas ndiqet ajo që të çon në fshatin Pëllumbas. Prej këtij të fundit, për të arritur deri në shpellë, rruga është këmbësore dhe duhet shoqërues.

 

 

< Faqja Mbrapa -------------- Faqja Tjeter >

<<< Faqja Pare -------------- Faqja Fundit >>>

Qarku Tirane